A do të ndiqet penalisht Ilir Meta si Al Kapone?!

Në panoramën aktuale, njerëzit presin nga SPAK që të hetojnë pasurinë e politikanëve të lartë, për të cilën pritshmëria është që t’ia sekuestrojë e më pas t’ia konfiskojë me vendim gjykate.

Ka një opinion të përgjithshëm që me nisjen e hetimeve për Ilir Metën, se e gjithë kjo histori më shumë po merret me kleçka të gjendjes civile, çështje të shkeljes së ligjeve fiskale apo financimit të partive politike.

E kjo ka hapur një debat se kemi të bëjmë më shumë me një “cic-mic” sesa me një hetim të theluar mbi aferat që tashmë dihen për Ilir Metën.

E në këtë rast, pikëpyetja vjen spontane: a do të dënohet Ilir Meta si Al Kapone, pra për një vepër penale që arrihet të provohet shpejt, siç është rasti i njërës prej dosjeve që ka nisur SPAK?

Në aspektin ligjor, nuk se ka ndonjë problem, pasi, si pak si shumë, kur shkel ligjin njësoj ndiqesh penalisht.

Rasti “Al Kapone” për të cilin flasin njerëzit, është një realitet mjaft i ndryshëm nga konteksti i sotëm. Në vitet e para të shekullit XX në SHBA-në ku alkooli ndalohej me ligj, gangsterët siç quheshin atëherë, pra krimi i organizuar, trafikonte një volum gjigand të kontrabandës së pijeve alkoolike që konsumoheshin me shumicë në lokale që nuk ishin të ligjshme.

I gjithë ky trafik zhvillohej nën hundën e përfaqësuesve të shtetit dhe policisë që ishin në borderotë e gangsterëve, kryebashkiakëve që zgjidheshin nga gangsterët, por edhe deputetë e senatorë.

Në atë kohë, në Chicago, qytetin ku mbret i krimit ishte Al Capone, një gangster me origjinë nga Napoli, që ishte edhe mbret i jetës publike të qytetit. Presidenti i SHBA dërgoi në Chicago, Eliot Ness, një oficer të Agjencisë kundër kontrabandës, i cili ngriti një grup më shumë me ekspertë e me dy policë për të luftuar gangsterët, lider i të cilëve ishte Al Capone.

Ky i fundit i shpalli luftë Ness-it, e i vrau thuajse të gjithë njerëzit e tij, por në fund, Ness arriti të sigurojë regjistrin tregtar të Al Capones, të cilin e akuzoi për fshehje të taksave. Në SHBA ky është një ligj shumë i rëndë, e kanë bërë të tillë që në fillim të ngritjes së shtetit, në mënyrë që të mos jetë evazioni një refren i antishtetit. Evazioni konsiderohet krim federal, çka është ndër më të rëndët në SHBA. E krahasuar me rastin e Ilir Metës, një krim federal në SHBA është si një krim kundër shtetit, që sipas Kodit Penal ka dënime mbi 15 vjet.

Por në panoramën aktuale, njerëzit presin nga SPAK që të hetojnë pasurinë e politikanëve të lartë, për të cilën pritshmëria është që t’ia sekuestrojë e më pas t’ia konfiskojë me vendim gjykate. Nëse sot kanë dalë fakte mbi zhvendosje shumash marramendëse prej 30 milionë eurosh nga Meta te shtëpia e oficerit të Sigurimit Luan Pobrati, për të cilin thuhet se ka rekrutuar ish-presidentin, kemi të bëjmë me ngjarje që nuk tolerojnë një dosje sipërfaqësore.

Ka disa komentatorë që mbrojnë kreun e SPAK, për të cilin thonë se ai nuk mund të hetojë gjithë zallamahinë 30 vjeçare të vendit. Po nëse nuk bën këtë, atëherë kot që e ngritëm SPAK-n. Njerëzit presin nga Prokuroria e Posaçme që të bëjë rrethimin e pronave të Gjirit të lalzit, preventimin e tyre, origjinën e parave që u blenë ato, e më pas konfiskimin e sekuestrimin.

Shqiptarët nuk janë më një popull hijenash që kërkon prej peshkaqenëve të korrupsionit të vuajnë, por vetëm që pasuria e tyre e fituar në mënyrë të paligjshme të sekuestrohet. E kjo, jo për tu ndarë si plaçkë lufte, por për të shërbyer si një profilaksi që të mos ketë më xhagajdurë që vjedhin paratë e shtetit, si te baçja e kooperativës.

Shqipëria, nuk mund të bëhet një vend europian, nëse nuk ndëshkon korrupsionin. Kolegu i Ilir Metës, Ivo Sanaderi i Kroacisë, ka marrë tre dënime të pastra korrupsioni, e kjo ka dhënë efekt të fortë në një frenim të babëzive të zyrtarëve e politikanëve të lartë.

Një sondazh i zhvilluar nga Banka Botërore pak vite më parë bënte të ditur se shqiptarët nuk janë shumë të interesuar për tu hakmarrë ndaj zyrtarëve të korruptuar, por duan që tu sekuestrohet pasuria. E kjo përbën drejtësinë më racionale të mundshme…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej