Dihen spërdredhjet e shefave të SPAK, që thonë se është vështirë të vërtetohen aferat ku autorë kryesorë janë shefat e lartë të pushtetit; por nuk po merren as me vjedhjen e dukshme të 2 anijeve nga Bangladeshi, që Babloku e Balluku i sollën në Vlorë me mashtrimin për prodhim energjie.
Kjo aferë nuk ka nevojë për “hetim kompleks”, sepse ka vetëm 2 dokumente: Urdhrin e Belinda Ballukut për t’i sjellë anijet nga Bangladeshi në Vlorë dhe kontrata sekrete e firmosur nga Drejtori i KESH, Ergys Verdho, me firmën private offshore “Excelerate Energy”.
Përveç dy dokumenteve zyrtare, shefat e SPAK në media apo kur kanë shkuar për fundjava e me pushime në bregdetin jugor, patjetër i kanë parë anijet “Tigri1” e Tigri 2”, të ankoruara në Portin e Vlorës qysh prej datës 10 shtator 2022.
Ditën e ardhjes së tyre në Vlorë, Belinda Balluku tha: – Duke filluar nga data 1 nëntor 2022, me prodhimin e këtyre dy anije TEC-e, i japim fund krizës dhe garantojmë që familjeve, spitaleve, shkollave, kopshteve, çerdheve e bizneseve të mos u mungojë energjia elektrike asnjë çast.
Ndërsa më 17 shtator 2022, një javë pas Belindës, kryeministri Edi Rama tha: – “Dy TEC-et lundrues erdhën në Vlorë. Më 1 janar 2023 do fillojnë prodhimin e energjisë, duke i dhënë fund shpifjeve se do vidhen miliona, e se janë rrangalla nga Bangladeshi që do helmojnë Vlorën.
Po i kujtojmë SPAK-ut, se për këto 2 anije TEC-e që po bëjnë “plazh” në Vlorë prej 1 viti, sipas urdhrit të Belindës dhe kontratës që ka firmosur drejtori Ergys Verdho i KESH, qeveria paguan nga 90 mijë Euro qira ditore, pagesë që shkon 32.8 milionë Euro më 10 shtator 2023.
Por ato anije rrangalla, megjithëse paguhen më shumë se jahtet luksoze, nuk po prodhojnë energjie elektrike, sepse firma private nuk i ka vënë akoma në funksion, megjithëse janë bërë 6 përpjekje për t’i ndezur e vënë në punë.
Për të justifikuar mashtrimin e saj, të Bablokut e vjedhjen që po vazhdon nga 90 mijë Euro në ditë; në mes të muajit janar, Belinda Balluku tha se anijet do fillojnë të prodhojnë energji në fillim të muajit mars, ndërsa në muajin prill, tha se do fillojnë brenda muajit maj.
Por nuk kanë nisur të prodhojnë, fakt të cilin SPAK mund ta vërtetojë atje ku janë ankoruar dy anijet rrangalla, por dhe te zyra e Belindës për të marrë urdhër për sjelljen e anijeve dhe kontratën e qirasë me bosin e huaj që kanë bërë pazarin./Pamfleti