Administrata publike duket se ndodhet në kaos total. Në raportet e BE dhe SHBA është kërkuar gjithmonë të luftohet korrupsioni në administratë dhe të ndërmerren reforma të thella, por qeveria ka mbyllur njërin sy e njërin vesh dhe tani rrezikohet kolaps total.
Fenomeni i largimit të shqiptarëve duket se nuk ka prekur vetëm bizneset private, por edhe administratën publike. Gjatë vitit 2022 ka pasur një rritje me 54 për qind të dorëheqjeve në nivele të larta ekzekutive. Për të qenë më të saktë, gjatë vitit 2022 janë liruar gjithsej 441 nëpunës civilë, ku rezulton se 260 kanë dhënë dorëheqjen.
“Plani i rekrutimit për vitin 2022 u përkthye në organizimin e disa procedurave rekrutimi, të grupuara sipas ngjashmërive të pozicioneve të shpallura, kritereve dhe nivelit të pozicioneve. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve të ndodhura dhe nevojave që lindin Kjo tendencë për të shpallur më tepër vende se plani vihet re ndër vite dhe nga analiza e të dhënave që Departamenti i Administratës Publike administron, rezulton se arsyeja e shpalljes së këtyre pozicioneve është krijimi i vakancave të paplanifikuara, të krijuara rishtazi gjatë vitit 2022 si pasojë e dorëheqjeve të 260 nëpunësve civil nga institucionet e administratës shtetërore”, thuhet në raportin vjetor të Administratës Publike.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, në administratë duket se ka dhe persona me rekorde kriminale dhe janë penalizuar nga dekriminalizimi. Sipas raportit, ky ligj ka penalizuar 14 emra.
“Sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës, pas administrimit të formularëve të dorëzuar nga subjektet vetëdeklaruese është vijuar me procesin e verifikimit paraprak të të dhënave të deklaruara në formularë nga subjektet vetëdeklaruese me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e më pas është vijuar me kërkesën për verifikimin e plotë nga Prokuroria e Përgjithshme, të të dhënave të deklaruara nga këto subjekte, ku në përfundim të këtij procesi, nga të emëruarit gjatë vitit 2022 rezultojnë 14 subjekte vetëdeklaruese të konstatuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik”, thekson raporti.
Sikur të mos mjaftonin këto, në administratë vijojnë shkarkimet e paligjshme. Sipas raportit janë ngritur 48 padi për shkelje me shkarkimet nga detyra. /Pamfleti