Ka prej kohësh, si me dinakëri e me presione, që Edi Rama i është qepur SPAK-u për të arrestuar Arben Ahmetajn e për ta mbyllur sa më shpejt në një burg akut ku ta trazonte psikologjikisht.
Por ky plan i Ramës, i operacionit ‘blic’ për ta mbyllur Arben Ahmetajn, dështoi. E kishte planifikuar që kjo të ndodhte pikërisht në kohën që mediat pranë tij nisën një sulm agresiv, me logjikën që SPAK të vepronte menjëherë. Madje kishte përgatitur edhe procedurat në Kuvend e në grupin parlamentar, duke siguruar edhe shumicën për ta votuar menjëherë…
Siç ndodhi, që sapo u regjistruan sulmet e para, edhe pse Ahmetaj kishte qenë bashkëpunëtori më i afërt i tij në tre mandate, Rama e lëshoi në gojët e ujqëve për ta prangosur SPAK. I cili ka tejkaluar në mënyrë të diskutueshme të drejtën apo mbrojtjen që deputeti ka që të mos kontrollohet apo cënohet liria pa vendim Kuvendi. Nuk ka ndodhur asnjë precedent deri më sot që një deputet t’i kontrollohet banesa pa vendim Kuvendi.
Thjesht një artific ligjor duket se ka shtyrë SPAK të kërkojë në gjykatën e Posaçme kontrollin e banesës, pra qënia si pronar direkt i banesës, por që de fakto edhe duke qenë se ka materiale private e dokumente të deputetit, këto vendime nuk ka se si merren pa lejen e Kuvendit. Ligjërisht kjo çështje është në gjykim e sipas gjasave do të zgjidhet nga një trupë gjykuese. Por politikisht, vrulli që ka marrë Edi Rama për të “palosur” Arben Ahmetajn, ka dështuar që në fillimet e tij, pasi edhe pse janë sajuar mbi 10 fronte, që nga rasti i sulmeve mediatike tek pastruesja e Alda Klosit, apo gjuajtjet poshtë brezit për objektet e gjetura në banesat në bregdet, gjithsesi, kryeministri nuk ka mundur dot ta mposhtë Arben Ahmetajn. Edhe pse ka folur vetë dhe i ka paraprirë procedurave të diskutueshme të Drejtësisë.
Një intervistë që ka dhënë Arben Ahmetaj te Fevziu dhe ka dridhur jo vetë Edi Ramën, por të gjithë mazhorancën dhe detashmentin e shtytur në aferën e inceneratorëve.
Fraza e Ahmetajt se “unë nuk kisha forcë që të lëvizja të gjitha ato VKM brenda një dite për inceneratorët” nuk ishte gjë tjetër veçse një goditje në ‘lule të ballit’, që duket se realisht po e mban Ahmetajn jashtë burgut.
Ish-ministri më i rëndësishëm i Edi Ramës, mund të jetë mëkatar, por ai dispunon të gjitha dokumentet se kush i ka inicuar dhe kush i ka firmosur PPP dhe aferat korruptive në Shqipëri. Nga të cilat ka dalë deri tani vetëm maja e ajzbergut. E siç mësohet, Ahmetaj i ka depozituar ato dokumente aty ku “duhet”, sipas gjasave në kancelaritë më të rëndësishme në vend.
Ahmetajn po e sulmojnë Edi Rama dhe Mirel Mërtiri, ku i pari ka ndikim në sistemin e drejtësisë, KLP, KLGJ dhe më gjerë, ndërsa i dyti ka paguar miliona në media. Rama dhe Mërtiri duan ta përdorin Ahmetajn si tampon për të mbyllur gropën e tmerrshme të inceneratorëve, por realisht kutia e Pandorës është hapur dhe tani, “mallkimi” i qindrave milionë euro të hedhur për influencë e abuzim nuk mund ta blejë të vërtetën…/Pamfleti