Amnistia fiskale/ Eksperti i ekonomisë: Nuk garanton shmangien e hyrjes së parave të krimit! I bëhet padrejtësi pjesës së shëndoshë të biznesit

Eksperti i Ekonomisë Alban Zusi thotë se amnistia fiskale nuk jep garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para krimi për t’u legalizuar.

Nisma, sipas tij, mund e duhet të ndërmerret kur shteti është në gjendje të vendos kontroll mbi informalitetin në një masë të pranueshme, si dhe të zgjidh ngërçet ligjore e rregullative që imponojnë informalitet e evazionit, por sa kohë kjo nuk sigurohet atëherë ajo është e destinuar të dështojë.

“Mekanizmat e kontrollit nëse janë apo jo para krimi, nuk janë efikase (njësia pranë tatimeve që parashikohet në ligj). Janë përjashtuar nga amnistia fondet që rrjedhin nga krimet e parashikuara si objekt i veprimtarisë së ligjit antimafia – po fondet e rrjedhura nga krime të tjera veç këtyre? Sipas promocionit që i ka bërë qeveria, një ligj i tillë do çlirojë sasi të parave që kanë akumuluar emigrantët nga puna e ndershme në të zezë, në fakt si qytetar nuk kam perceptim se ka emigrant me të tillë problem, pasi kushdo prej tyre dihet që kanë sjellë remitanca, kanë blerë asete shtëpi etj. këtu. Mirëpo nuk e di çfarë qëndrimi mund të mbajnë shtetet e tjera për ketë, pasi i bie që paratë e fituara atje pa paguar taksa të legalizohen në Shqipëri”, thekson Zusi.

Drafti parashikon që zbatimi i amnistisë fiskale të kryhet nga një grup i vogël pune i administratës tatimore drejtuar nga drejtori i Përgjithshëm, ndërsa procedura e verifikimit do të gjasë vetëm 5 ditë.

“Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi sipas formularit të deklarimit vullnetar. Njësia, brenda 5 ditëve pune nga depozitimi i formularit të deklarimit vullnetar, kryen verifikimet paraprake nëse aplikuesi është subjekt përfitues i këtij dhe pajis subjektin ose përfaqësuesin e tij me një kopje të formularit të vetëdeklarimit të certifikuar/nënshkruar nga Njësia”, specifikohet në ligj. Përmes amnistisë fiskale synohet deklarimi vullnetar i pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete, përkundrejt një detyrimi tatimor modest që varion nga 5 deri në 10 për qind.

EKSPERTI I EKONOMISË, ALBAN ZUSI

Jemi njohur me projektligjin për amnistinë fiskale, si dhe me shumë debate që kanë nisur lidhur me të. Nga debatet që bëhen sot, ato më të zëshmet janë që kontestojnë miratimin e këtij ligji, ndërsa në fakt përgjatë periudhave që nuk ka pasur iniciativë të tillë nga qeveria, gjithnjë është folur se duhet një amnisti fiskale për shkak të informalitetit tejet të lartë që ka sunduar që prej mbi 30 vjetësh në Shqipëri.

Parë në këtë këndvështrim, edhe unë i bashkohem zërave që ka nevojë dhe duhet të bëhet amnisti fiskale. Diskutimi në fakt sipas meje është jo a duhet të bëhet amnisti fiskale por a është projekt ligji ai që duhet? A është e volitshme koha që po miratohet? Pra, a do ketë efikasitet? Sa lidhet me cilësinë e projekt aktit natyrshëm që nuk mund të flas para specialistëve të fushës, por nga sa duket nga përmbajtja, nuk jep garanci se nuk do të vërshojnë para krimi për t’u legalizuar.

– Mekanizmat e kontrollit nëse janë apo jo para krimi, nuk janë efikase (njësia pranë tatimeve që parashikohet në ligj).

– Janë përjashtuar nga amnistia fondet që rrjedhin nga krimet e parashikuara si objekt i veprimtarisë së ligjit antimafia – po fondet e rrjedhura nga krime të tjera veç këtyre?

– Sipas promocionit që i ka bërë qeveria, një ligj i tillë do çlirojë sasi të parave që kanë akumuluar emigrantët nga puna e ndershme në të zezë – në fakt si qytetar nuk kam perceptim se ka emigrant me të tillë problem pasi kushdo prej tyre dihet që kanë sjellë remitanca, kanë blerë asete shtëpi etj., këtu. Mirëpo nuk e di çfarë qëndrimi mund të mbajnë shtetet e tjera për ketë, pasi i bie që paratë e fituara atje pa paguar taksa të legalizohen në Shqipëri.

Sa më sipër, evidentova si probleme që mund të zgjidhen duke rishikuar draftin – patjetër që ka edhe të tjera kësisoj, si dhe mund të argumentohen e arsyetohen më bindshëm nga specialist të fushës juridike e penale. Nuk përbën shkak për të mos u miratuar ky ligj, fakti se legalizimi i kapitalit të atyre që kanë bërë evazion e kontrabandë në fakt është një padrejtësi që i bëhet pjesës së shëndosh të biznesit, pasi siç thamë megjithëse me dhimbje është nevojë një amnisti fiskale.

Mirëpo sipas meje, shkaku kryesor që nuk duhet të miratohet ky ligj konsiston në faktin se nuk është e volitshme koha që po miratohet dhe nuk do ketë efikasitet, pasi nuk jemi gati!

Sipas gjykimit tim, qeveria kur ka lançuar këtë ide e hapur debatin për këtë ligj, do të duhej të prezantonte rezultatin dhe ecurinë e iniciativave të mëparshme të ngjashme (që në kohën kur në qeverisje ishte PD-ja) prezantonte se ku konsistojnë ndryshimet e risitë e këtij ligji, të atilla që të premtojnë sukses kësaj radhe. Në fakt, dihet se ligje të mëparshme kësisoj janë miratuar e kaluar afati i përcaktuar në to për legalizim, por kanë qenë dështim për të cilin s’ka asnjë raport nga qeveria apo dikush tjetër se: Sa para u grumbulluan? Nga origjinonin këto para, nga legalizimi i aseteve apo i parave cash? Sa biznese legalizuan para? A dështoi apo ishte sukses ligji? Përsëris se nuk ka raport zyrtar lidhur me këtë, por sipas të dhënave të ndryshme flitet se nga legalizimi i kapitalit (për ligjin e miratuar në qeverisjen e PD-së them) janë grumbulluar më pak se 40 milionë euro, nga të cilat pjesa dërmuese dërrmuese vinte nga qytetarët që rivlerësuan banesat e tyre për të shmangur një taksë në rast shitje në potencë të banesave të tyre. Pra, ligji nuk ia arriti qëllimit madje mund të themi që zbatimi ishte krejt jashtë frymës së ligjit: fryma e ligjit ishte që të legalizohen para që rrjedhin nga evazioni e kontrabanda, e me këtë rast le të rivlerësohen edhe banesat. Mirëpo në fakt duke u zbatuar kryesisht vetëm rivlerësim banesash, zbatimi i këtij ligji efektivisht ishte që qeveria tu marr ca para qytetarëve As atëherë nuk u analizua dështimi i iniciativës së amnistisë fiskale, as tani që ideja është konkretizuar me projektligj, nuk është publikuar një analizë: sa shanse ka që të mos dështojë? Pse mund të dështojë? Ku ndryshon projekti apo realiteti krahasimisht me herët e tjera që është ndërmarrë kjo nismë?

Në fakt sipas meje, kjo amnisti është e destinuar të dështojë sipas qëllimit të ligjit – për të legalizuar paratë nga evazioni dhe kontrabanda.

Nuk mohoj përpjekjet e qeverisë dhe administratës për luftë kundër evazionit e kontrabandës, por ata që vijojnë të bëjnë evazion e kontrabandë nuk kanë asnjë arsye që të mos vijojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Në këto kushte, ata që përfitojnë para nga evazioni e kontrabanda nuk ka se si të “rrëfehen te prifti – te njësia e posaçme”, pasi të njëjtin mekanizëm do vijojnë ta bëjnë sërish të nesërmen e legalizimit të parave të evazionit deri në këtë kohë.

Kur them që evazionistët do vijojnë ta bëjnë sërish evazionin nuk e kam fjalën vetëm për ato biznese e individ që funksionojnë në mënyrë agresive të parregullt duke bërë evazion e kontrabandë, por për një mori biznesesh që ju imponohet evazioni për shkak të situatës së informalitetit apo dhe legjislacionit – po sjell si shembull atë që dihet nga të gjithë që subjektet e vogla nuk të blejnë mall me faturë. Kjo dihet nga te gjithë, por thjesht shteti nuk gjen mekanizmin për ta zgjidhur këtë. Në këto kushte çfarë mund e duhet të bëjë biznesi me TVSH kur nuk ia marrin mallin me faturë subjektet e vogla?

Pra në gjykimin tim, amnistia mund e duhet të bëhet kur shteti është në gjendje të vendos kontroll mbi informalitetin në një masë të pranueshme si dhe të zgjidh ngërçet ligjore e rregullqative që imponojnë informalitet e evazion. Edhe kaq nuk mjafton, por duhet që shteti të demonstrojë bindshëm që e ka seriozisht kësaj radhe, me qëllim që ata që kanë pasuri të palegalizuara të ndihen në siklet e të gëzojnë nëse ju jepet mundësia për të hequr këtë siklet që e kanë shkaktuar vetë për shkak të shkeljeve apo që u është imponuar shkelja për shkak të ligjeve dhe realitetit. Lidhur me këtë të fundit, nga pikëpamja formale të paktën do të duhej që projekt ligji të parashikonte ashpërsim të masave ndaj pasurisë dhe shkeljeve që sjellin atë (e kam fjalën për pasurinë e vënë nga evazioni e shkeljet e evazionit e kontrabandës).

Duke mos u krijuar kushtet e duhura e dhënë garancitë e domosdoshme që “pas kësaj radhe do ketë konsekuenca të forta pasuria e vënë edhe me shkelje fiskale e shkeljet në të ardhmen do ndëshkohen akoma më ashpërsisht) atëherë kjo është një arsye më shumë të dështojë zbatimi i këtij ligji pasi evazorët do mendojnë: s’po legalizojmë gjë pasi s’ka problem se e miratojnë prapë ligjin qeveria. Veç kësaj, duke mos u dhënë këto garanci, atëherë u jepet krah edhe ideve konsiparcioniste e propagandës politike të krahut tjetër që e gjithë kjo bëhet për të përfituar klient e krimi i lidhur me qeverinë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej