Rektori i Universitetit të Mjekësisë njëherësh shefi i kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata të cilit i është caktuar masa detyrim paraqitjeje nga SPAK lidhur me hetimin e koncensionit të sterilizimit është paraqitur sot në SPAK.
Në SPAK është paraqitur edhe Genc Byrazeri, i cili po ashtu ka masën detyrim paraqitje për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre.
Me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, pronari i kompanisë Investital LLC.
Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, Gjyqtari i GJKKO, Erion Bani, caktoi masa sigurie edhe ndaj 6 personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit
Dritë hijet e koncesionit
Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi. Në 2016 Prokuroria e Tiranës deklaroi se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurje dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.
Hetimi për koncesionin e sterizilimit nisi në 13 janar 2020 për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Masat e sigurisë
Klodjan Rjepaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Ilir Rrapaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Mashtrim’
Saimir Kadiu- ‘arrest shtëpie’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Marsela Serjana- arrest shtëpie, e akuzuar ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës