Ardi Veliu prezantohet si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ja dy kandidatët që pritet të zëvendësojnë Gledis Nanon si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Tashmë është zyrtare, Ardi Veliu do të jetë Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Veliu është prezantuar ditën e djeshme, teksa vjen në këtë post në vend të Muhamet Rrumbullakut, sikundër gazeta “SOT” e paralajmëroi pak ditë më parë. Ky emërim vjen në vazhdën e ndryshimeve që janë bërë në qeveri. Pak ditë më parë, Veliu u lirua nga detyra si zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa më herët ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Po ashtu, nga detyra u shkarkua edhe Gledis Nanos. Aktualisht postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit e ushtron i komanduar zv. drejtori, Tonin Vocaj. Megjithatë, dy janë emrat që po përfliten si kandidatë të mundshëm, por dhe që plotësojnë kushtet për emërimin si pasuese të Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për Muhamet Rrumbullakun, aktualisht drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Lorenc Panganika, aktualisht drejtor i Policisë së Tiranës. Ndërkohë, Ardi Veliu u emërua në detyrën e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në nëntor 2021. Nga 5 Shkurt 2018 deri në 5 Tetor 2021 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në vendin e tij erdhi Gledis Nano, edhe ky i fundit i shkarkuar pak ditë më parë me vendim qeverie. Kush është Ardi Veliu? Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë.

Është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë. Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi. Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna. Është diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor, Fakulteti Juridik. Ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga Pameca, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë shtetit, si, në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë; Ka përfunduar kursin 8- javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP. Është një njohës i mirë i gjuhës Turke dhe Angleze.

Karriera profesionale e Veliut

Sa i përket karrierës profesionale, Ardi Veliu ka qenë: Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999), Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002). Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004). Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006). Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014). Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015). Drejtor i Kolegjit te Policisë (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016. Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017. Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. 5 Shkurt 2018 deri në 5 Tetor 2021 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kush është Muhamet Rrumbullaku?

Ndërkohë, kujtojmë se Veliu e mori atë post në vend të Muhamet Rrumbullakut. 52 vjeçar Muhamet Rrumbullaku ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, ku për shumë vite ka qenë Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike 2009-2013, ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera. Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej