Arrestohet në Tiranë i shumëkërkuari nga drejtësia amerikane për trafik droge

Një person i shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane për trafik droge është vënë në pranga gjatë një operacioni policor në bashkëpunim me DEA-n amerikane, RSO dhe OCI si dhe me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Në pranga ka rënë 31-vjeçari indian me inicialet N. M, i dënuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është duke punuar për ekstradimin e këtij shtetasi drejt SHBA-së.

Njoftimi i Policisë:

Njësia e Përbashkët Hetimore, e përbërë nga Zyra Rajonale e Sigurisë/ Zyra e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-së (RSO, OCI), në ambasadën e SHBA-së në Tiranë dhe Njësia Speciale Policore shqiptare, e njohur si “Mburoja e Përbashkët”, në bashkëpunim dhe koordinim me Agjencinë Ligjzbatuese Amerikane DEA, kanë patur në ndjekje një rast që lidhet me vënien në ekzekutim të dy urdhër arresteve të lëshuara nga dy gjykata të ndryshme në SHBA.

Koordinimi i këtyre tri agjencive, RSO/DSS, Policia e Shtetit dhe DEA, rezultoi me arrestimin në Rinas, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të një shtetasi indian, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.

Për arrestimin e këtij shtetasi dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore nga pala shqiptare (Njësia “Mburoja e Përbashkët”) është koordinuar në kohë reale me autoritetet qendrore të drejtësisë shqiptare dhe këto të fundit kanë dhënë dritë jeshile për këtë operacion të përbashkët hetimor.

Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.

Si rezultat i veprimeve të koordinuara më parë, Njësia Policore “Mburoja e Përbashket” ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë shtetasin indian N. M., 31 vjeç, në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bërë ekzekutimin e dy urdhër arresteve amerikane, por dhe kryerjen e hetimeve të tjera sipas marrëveshjeve në fushën e hetimeve penale në fuqi, ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është duke punuar për ekstradimin e këtij shtetasi drejt SHBA-së.

Gjejmë sërish rastin të falënderojmë ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkërendimin e të gjitha veprimeve ndërmjet agjencive ligjzbatuese, në luftën e përbashkët kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej