Avokati shton dyshimet për vetëvrasjen e Myftarajt, Frashëri: Nuk e besoj që mund të fluturonte nga kati i katërt i pallatit…

Avokati Kastriot Frashëri tregon bisedën e fundit me nënën e Kastriot Myftarajt teksa e gënjeu atë pa mundur ti japë lajmin e keq që i biri kishte humbur jetën.

Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Frashëri thotë se Myftaraj kishte bërë disa analiza në QSUT por ende nuk ishte diagnostikuar.

IN MEMORIAM KASTRIOT MYFTARAJ

Homazhet më datë 8 Korrik 2022 ora 9:00 – 12:30 pranë Agjencisë Funerale “Alba 2000” në rrugën e Dibrës, varrimi bëhet në Varrezat e Sharrës në Kombinat

Lamtumirë një miku dhe analisti të sertë. Ti miku im ike nga kjo botë në mënyrën sa më të pamerituar aq edhe të pabesueshme.

Ma prishe ditën o Kaço… Me qindra telefonata nga miq të përbashkët, të njohur e të panjohur, por edhe nga kolegët e tu të medias vërshonin pa pushim në telefonin tim.

Jam pa fjalë! Nuk dija çfarë tu thoja! Si mund të kryeje ti Kastriot Myftaraj , një akt të tillë pa dhënë kurëfarë asnjë shenjë as depresioni as edhe dëshpërimi?! Disa portale e media biçim serioze kishin trilluar histori të pabesueshme. Doja ti besoja por nuk mundesha. Eh, si ti besoje këto duke të njohur fuqinë e karakterit, mençurinë dhe mirësinë tënde. Kjo më detyroi të shkoj në shtëpinë tënde menjëherë sapo lajmi mori dhenë dhe mu desh ta gënjeja nënën tënde bashkë me Aleksandrin, këtë se kisha bërrë kurrë në jetë, sepse pashë se ajo po të priste tek dera e shqetësuar, duke mos i treguar se çfarë kish ndodhur nënës tënde të lodhur nga pesha e viteve, e cila besonte atë qē i kishin treguar se ti kishe ikur në urgjencë për disa analiza jo vetëm pa i thënë asgjë asaj, por edhe duke lënë edhe derën e hapur…

Dy dekada nuk janë pak për të njohur një mik. Dy Kastriotë të famshëm shpesh na shpotisnin me mirësi të njohurit tanë, sa të ndryshëm aq edhe të afërt. Ti ishe njeri i veçantë me të gjitha cilësitë njerëzore por dituria ishte ajo që spikaste mbi enciklopedinë njerëzore. Kishe të mirat e të këqijat për të cilat shpesh debatonim fort. Për shumë gjëra që shkruaje edhe kur e teproje duke tejkaluar masën isha kritiku yt më i madh, sidomos kur këto i merja vesh nga të tjerët të cilët më dërgonin linkun përkatës. Ndonjëherë ke çënuar edhe miqtë tim duke më vënë në pozitë të vështirë përballë tyre ndonëse nuk kisha asnjë info paraprake për këto. Shpesh të thoja mos i beso çdo historie që të parashtrohet ndaj më pyet përpara se ta botosh, le të jem redaktori, sepse ndonjë herë është e vështirë të sigurohet balanca ndërmjet sensit të masës dhe administrimit të vetvetes, por ti ndryshe nga ne, shkruaje deri në orët e para të mëngjezit dhe kjo gjendje të kisha paralajmëruar se ishte e rrezikshme për shëndetin, por ti nuk ndaleshe.

Dy javë më parë isha dëshmitar i përditshëm i ekzaminimit tënd pothuajse një javor në QSUT, duke angazhuar mjekët tanë më të mirë për trajtimin tënd ndaj një simptome të papritur ku rezonanca konstatoi një masë në kokë por pa mundur të vendoste një diagnozë pa kryer ekzaminime të mëtejshme të hollësishme, sikundër deklaronin sot sëmundjen e keqe në mënyrën më vulgare disa media. Përgjatë këtyre dy javëve kemi folur çdo ditë për dy apo tre herë në telefon dhe kurrë nuk më shfaqe asnjë shenjë depresioni apo dëshpërimi, përkundrazi forcën, kurajon dhe përgjegjësinë për të vijuar ekzaminimet më tej. Tek ty miku im nuk shihje asnjë gjurmë përjetimi të kësaj situate për të cilin jam dëshmitar! Rrethanat e sollën që telefonata ime e fundit me ty miku im të ishte dy ditë më parë dhe teksa po të pyesja për ecurinë e analizave dhe po ju parashtroja disa nga tarifat për ekzaminimet në disa spitale jashtë Shqipërisë u ndesha me vendosmërinë tënde për ti kryer këto jashtë shtetit në Itali ose Zvicër, pasi nuk ishe i sigurtë për trajtimin këtu. Të gjitha këto i deklarove me qetësi dhe formë të prerë dhe se kishe mundësi që ti përballoje kostot financiare, madje nëse do të duheshin më shumë para me shumë siguri më the që disa dashamirës janë gati të mbulojnë çdo shpenzim të nevojshëm që mund të lindë. Madje edhe nga Presidenti dhe stafi drejtues ku punoje i RTV ORA NEËS kishe garanci për mbështetje financiare, të cilët me lotë në sy nuk u besohej kjo ndodhi e një njeriu të fortë e kurajoz. Të njëjtin mendim ndante edhe botuesi i Gazetës SOT Agjencia E Lajmeve Sot . Askujt prej atyre që të njihnin nga afër nuk i besohej kjo ndodhi.

Kaq mjafton të kuptohet që në këtë histori nuk ka vend as për dëshpërim dhe as për depresion. Ndonëse ndonjë media thotë që mungoje prej tre javësh në television, por ti e kishe mbyllur programin ashtu siç kanë bërë shumë  të tjerë në mediat e tjera për tu rikthyer në sezonin tjetër në shtator në RTV ORA NEËS. Kurrë nuk të pamë as në gjendje të stresuar dhe as në dëshpërim. A mundet njeriu brenda dy orësh të përgatitë planin e tij brenda dy orësh po ti referohemi telefonatës së fundit që mësova se ke patur me mikun tënd N. Kullën, i cili nuk konstatoi asnjë shenjë dëshpërimi vetëm vendosmërinë tënde të shkoje të diagnostikoheshe jashtë pas dy ditësh. Ndaj nuk mund ta besojmë që ti mund të fluturoje nga ballkoni i katit të katërt të pallatit ku banoje drejt botës tjetër teksa nëna ishte shtrirë nga dhimbjet e shiatikut në dhomën e saj. Eh, si mund ta bëje këtë ndaj nënës tënde pothuajse shekullore e cila mbante veshet ngritur gjatë gjithë minutazhit të emisionit tënd e shqetësuar se ti nuk kishe doganë për idetë, kur ti ishe i gatshëm të ndihmoje këdo? Ti ishe në shtëpi dhe nuk kishe dalë për gati 24 orë dhe nuk ishe pijanec. Mua nuk më besohet kjo histori ndonëse ajo duket se është reale me shenjat në tortuar dhe asnjë gjurmë lartë! Organet e drejtësisë le të bëjnë punën e tyre!

Një gjë është e pakthyeshme që ti miku ynë nuk do jesh më pranë nesh, aty ku të pëlqente të debatoje me orë të tëra duke mundur edhe natën me çdo kënd në biseda dhe debate që nuk përfundonin kurrë. Ti dije gjithshka… Ndoshta për këtë ishe lindur. Po çfarë ndodhi kështu? Ike papritur 56 vjeç në kulmin e moshës dhe krijimtarisë. Pushofsh në Paqe Kastriot!

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë miqve!

Lamtumirë mik nuk mundemi të themi!

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej