Bardh Spahia: Shqipëria komuniste vrau jo vetëm njeriun por edhe Zotin

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia ka zhvilluar homazhe për 23 Gushtin, Ditën e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare, komunizëm dhe nazizëm.

‘Ajo që kaloi populli ynë për gati 50 vjet, ishte përtej çdo imagjinate dhe mendja ç’njerëzore e një njeriu, prodhoi vuajtje e terror që ende edhe sot plagët i ka të hapura. Numri i viktimave, të internuarve e persekutuarve ishte i madh dhe vendi u kthye i gjithi në një burg! Shqipëria komuniste që vrau jo vetëm njeriun por edhe Zotin, e pagoi shtrenjtë këtë’, shkruan Spahia në  Facebook.

Postimi i plotë: 

23 Gushti, Dita e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare (komunizëm dhe nazizmi), është jo thjesht një datë përkujtimore. Për Shqipërinë ajo duhet të shërbejë si një moment i fortë reflektimi edhe sot kur kanë kaluar 32 vite nga rënia e regjimit komunist. Ajo që kaloi populli ynë për gati 50 vjet, ishte përtej çdo imagjinate dhe mendja ç’njerëzore e një njeriu, prodhoi vuajtje e terror që ende edhe sot plagët i ka të hapura. Numri i viktimave, të internuarve e persekutuarve ishte i madh dhe vendi u kthye i gjithi në një burg! Shqipëria komuniste që vrau jo vetëm njeriun por edhe Zotin, e pagoi shtrenjtë këtë. 

Sot ndërsa përkujtohen këto ngjarje, ato nuk janë thjesht statistika, as momente për të ndërtuar hakmarrje të reja, por janë kujtesë që i shërbejnë një kombi dhe veçanërisht brezit të ri. Të mos harrojmë, pasi rrezikojmë të na përsëriten! E për fat të keq shembujt nuk mungojnë, pasi ende sot i kemi në mesin tonë bijtë e atyre që prodhuan këtë realitet të shëmtuar. Janë në poste të larta drejtuese, e marrin vendime për ne, pa kërkuar së paku falje për atë që etërit e tyre bënë. Shërimi i plagëve vjen vetëm nga të vertetat dhe përballja që ne do të kemi në çdo kohë, pa asnjë kompromis, sado kosto që kjo gjë të ketë.
E nëse ka një vend që më së miri e ka dëshmuar se sa ka vuajtur nga ai regjim dhe pasojat e tmerrshme që la pas, është Shkodra martire. Kjo tokë që komunizmi e lau me gjak, i burgosi, torturoi, internoi, vrau e pushkatoi bijtë e bijat e saj, por asnjëherë nuk arriti t’i nënshtrojë dhe as ti bëjë të pajtohen  me të keqen. Ashtu si paraardhësit tanë, e kemi edhe ne mision ta bëjmë këtë gjë në çdo kohë, përballë çdo tiranie të re që synon të ngul rrënjë në tokën shqiptare. 
Shkodra ka ditur në çdo kohë t’i nderojë sakrificat e atyre që dhanë jetën e luftuan fort për të gëzuar këto ditë, prandaj jam i bindur që kjo rrugë do të mbetet e padevijuar nga askush, sado që mundohen t’i sfumojnë këto data, e të zbukurojnë atë të shkuar të errët.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej