Basha e nis shtatorin me “furtunë”, priten ndryshime dhe spastrime në radhët e PD-së

Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha pritet që më 2 shtator të mbledhë Kuvendin Kombëtar, në Pallatin e Sporteve “Asllan Rusi”.

Siç është deklaruar më parë nga kreu i rizgjedhur i kësaj force politike, Lulzim Basha, ndryshimet staturore janë vendimmarrjet më të rëndësishme që priten të dalin nga ky Kuvend, së bashku me vendime organizative dhe me një agjendë politike të partisë.

Gjëra më konkrete mbi organizimin gjithsesi, i ka treguar deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, ku ka bërë me dije së pari se Kuvendi do të kërkojë të ketë një funksion përbashkues të së djathtës, edhe pse ai nuk është pranuar në asnjë çast nga grupimi i Sali Berishës, apo deputetë të tjerë, të cilët nuk i përkasin dy fragmenteve dhe janë distancuar.

Një pikënisje do të ketë po ashtu për përballjen që PD-ja do të ketë me Qeverinë në muajt në vazhdim.

Pas dy shtatorit, sipas Çollakut, pritet që PD të bëjë një vlerësim të situatës dhe një formatim të të gjithë strukturave të brendshme të partisë.

“Përveç një vlerësimi të situatës politike në vend, situata me zhvillimet e shumta politike kërkon një përgjigje nga Partia Demokratike në formë të strukturuar”, ka nënvizuar ai.

Në debatet që parashikohen gjatë punimeve, pritet po ashtu të ketë diskutime staturore, të cilat lidhen me funksionimet dhe që do të marrin parasysh eksperiencat pozitive dhe negative të PD-së në këto vite opozite, për të riformatuar strukturat.

“Do të jetë edhe një proces që do të shtresëzohen, do të hidhen bazat e strukturave të reja të partisë. Pritet një lëvizje që do të prekë çdo segment dhe çdo strukturë të Partisë Demokratike nga qëndra deri në qelizën më të fundit”, ka thënë Çollaku.

Ndërsa, e paqartë, mbetet pritshmëria e grupimit Basha, i cili përfaqëson edhe partinë zyrtare juridikisht, për numrin e të pranishmëve në Kuvend.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej