Britania tjetër “shuplakë” Berishës, ambasadori King-Smith i jep mbështetje Alibeajt dhe kërkon distancim nga të korruptuarit

Ambasada kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të mos kandidojnë individë të dyshuar për afera korrupsioni. Berisha është shpallur i padëshiruar si për korrupsion, ashtu dhe për mbështetje ndaj personave me rekorde kriminale.

Britania e Madhe i ka dhënë një tjetër “shuplakë” Sali Berishës. Ky i fundit pak muaj më parë u shpall i padëshiruar prej tyre, ndërkohë që sot ambasada angleze në vendin tonë i ka dhënë mbështetje të hapur Enkelejd Alibeajt.

Berisha po mundohet të tërheqë pas vetes partinë, por Alibeaj po reziston fort dhe sot atij i kanë dalë në krah britanikët. Kreu i grupit parlamentar demokrat pati një takim me ambasadorin, Alastair King-Smith, dhe në fokus kanë qenë një sërë çështjesh.

Ambasada Britanike ka zbuluar detaje nga takimi dhe ajo që bie në sy është se Alastair King-Smith, i ka kërkuar Alibeajt që PD të distancohet nga të korruptuarit. Ambasadori ka kërkuar që në zgjedhjet vendore dhe në zgjedhjet e përgjithshme të mos futen kandidatë të akuzuar për rekorde kriminale dhe korrupsion.

Pas fillimit të sesionit të ri parlamentar, Ambasadori Alastair King-Smith u takua me Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar situatën aktuale politike dhe reformat prioritare për Shqipërinë. U diskutua rëndësia që të gjitha partitë të veprojnë në interes të qytetarëve, të promovojnë reformën zgjedhore dhe të përzgjedhin kandidatë për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme pa asnjë lidhje me kriminalitetin apo korrupsionin”, njofton ambasada.

Por kjo deklaratë është dhe një goditje ndaj Berishës. Ambasada kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të mos kandidojnë individë të dyshuar për afera korrupsioni. Berisha është shpallur i padëshiruar si për korrupsion, ashtu dhe për mbështetje ndaj personave me rekorde kriminale.

Më tej ambasadori ka vlerësuar rolin e opozitës, teksa i ka dhënë dhe një shuplakë qeverisë. Ai është shprehur se ligji i amnistisë fiskale nuk duhet të kalojë.

Ambasadori vlerësoi rëndësinë e rolit të opozitës në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të Shqipërisë. U diskutuan gjithashtu mënyrat për të adresuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe shmangien e ligjeve që do të ndërlikonin të tilla përpjekje, duke përfshirë propozimet shqetësuese për një amnisti fiskale”, shprehet më tej ambasada.

Ajo që bie në sy është se SHBA e Britani e Madhe po ecin në të njëjtën linjë sa i  takon situatës në PD. Ambasadorja Yuri Kim i ka dalë prej kohësh në krah Alibeajt, ndërkohë që sot ajo pati një takim me deputeten Jorida Tabaku. Nga ana tjetër kemi ambasadorin britanik, i cili po ashtu po mbështet deputetët që janë distancuar nga Berisha. Sinjalet janë se ish-kryeministri do ketë një betejë të vështirë përpara.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej