Çfarë fsheh veneracioni i Sali Berishës për Grida Dumën?

Po mbushet java që Sali Berisha e ka taksur me Grida Dumën, duke e pompuar politikisht pas shtrëngimit të duarve që patën në TV Klan.

E këto ‘furçe’ të pa limituara kanë ngritur pyetjen se çfarë kërkon të bëjë Saliu me Gridën? Apo më saktë çdo ta bëjë atë?

Dy janë opsionet; ose kërkon ta bëjë kryetare të grupit parlamentar të PD-së, ose do ta lançojë si një kandidate e mundshme për kryetare e bashkisë Tiranë.

Në variantin e parë, nëse Berisha kishte mundësi ta bënte Grida Dumën kryetare grupi, do ta bënte menjëherë. Pasi ajo ishte katalizatori që çoi në dorëhqjen e Lulzim Bashës pas 6 marsit. E siç plani ishte, Grida u planifikua të drejtonte të ashtuquajturin grupin regjent në PD për ta bashkuar me fraksionin e doktorit. Por Basha, me lëvizjen e tij të 14 marsit, ja la Gridës ‘thatë’, dhe kjo bëri që loja e saj agresive të shkërmoqej që në nisje.

Berisha nga ana e tij, në fillim të sezonit, kur edhe konstituohen grupet parlamentare, sërish mund të ofronte Dumën si kryetare por propozoi Luçiano Boçin. Veprim që i doli i pasuksesshëm…

Po përse tani po e nxjerr këtë emër që dikur ka mbështetur fort Lul Bashën e sot Berishën; si një “figurë” që rrëzoi Edi Ramën, sipas doktorit?

Kjo ka vetëm një shpjegim, duke ndjekur edhe deklaratën e tij se për bashkinë Tiranë duhet një figurë politike. E si të tillë, Berisha po nxjerr Grida Dumën në treg, jo si një version final. Pasi doktori në politikë është një mjeshtër krahasuar me të tjerët…

Përveç Gridës, janë përfolur  Ilir Alimehmeti, Julian Deda, Belind Këlliçi dhe Gerti Bogdani.

Që do të thotë një prodhim i madh kandidatësh, për të treguar se ai jo vetëm mendon, por edhe nxjerr në treg shërbimet politike.

Një manovër taktikisht shumë e efektshme, pasi e kthen debatin në anën e tij, ku të flitet për emra, pro e kundër, me një fjalë të jetë në qendër të vëmendjes.

Po e ka Berisha Gridën, një variant final të propozimit të tij?

Gjasat janë se doktori i ka thënë qartësisht Dumës se kjo mbështetje për të do të vijë, vetëm nëse Grida do të bëjë atë që kërkon doktori. Të çajë grupin e 35 deputetëve që nuk kanë pranuar të bashkohen me Berishën, sidomos pas vendimit të gjykatës së Apelit.

E shumë shpejt ne do të shikojmë se qëndrimet do të ndryshojnë ditë pas dite vetëm në bazë të interesave momentale.

Grida Duma, ka pranuar të shtrëngojë dorën me Berishën vetëm me një Pazar të madh, e ku sipas të gjitha gjasave është kandidatura për Tiranën. E kjo sjellje është thelbi i asaj që konsiderohet si performanca e elitës së vjetër, që betejën e bën për interesa të çastit. Ishte Sali Berisha që i ofroi publikut Ilir Alimehmetin, që edhe pse nuk e tha troç, u konsiderua si kandidati për Tiranën.

Po përse atëherë foli për një “figurë politike” e më pas e krahasoi Gridën me Norën e Këlmendit?

Shumë thjesht, sepse ofroi diçka, dhe për këtë kërkon diçka tjetër në këmbim. Grida nuk ka gjë tjetër që t’i japë Berishës përveç zhurmës dhe lobimit në kanalet ndërkombëtare. Shkurt ajo që i duhet doktorit në kohën kur i janë hapur tre dosje ndaj tij në SPAK. Ndoshta nesër, kur Grida do t’i thotë që nuk bëra gjë, Berisha mund të sjellë sërish në vëmendje doktor Alimehmetin. Por sot e ka harruar, madje paturpsisht ka nxjerrë dhe Jul Dedën si një opsion…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej