Disfata në zgjedhje duket se nuk do të kalojë aq lehtë për Sali Berishën. Edhe pse ka dy ditë që del në media dhe justifikohet se ja vodhën votat, në fakt ajo që pritet të ndodhë në PD sapo ka nisur.
Berisha u rikthye në krye të partisë me premtimin se do ringrejë PD-në, por në fakt rikthimi tij rezultoi katastrofë. Sulmet ndaj amerikanëve, shpallja “non grata”, promovimi i figurave të vjetra, bëri që demokratët ta refuzonin masivisht. Sipas të dhënave të KQZ, Berisha ka marrë 200 mijë vota më pak se Basha në zgjedhjet e 2011. Por pavarësisht kësaj, ai nuk ka ndërmend të largohet. Por këmbëngulja e tij do ta fusë PD në një tjetër konflikt. Sot janë dhënë sinjalet e para se deputetët nuk e duan më Berishën.
E para ishte Jorida Tabaku. Sipas saj, opozita humbi dhe nuk mund të ketë më justifikime.
“Sot, jam me kokën ulur para demokratëve, votuesve të djathtë e kujtdo. Nuk arritëm dot të japim një alternativë përbashkuese për PD, që pavarësisht kësaj sherrnajës që kush bën çfarë i morëm për të mirëqenë se njerëzit do votojnë logon apo mitin me sy mbyllur. Nuk mund të jetë zgjidhje dhe as alternativë mllefi! Nuk mund të jetë zgjidhje dhe alternativë përleshja e pakuptimtë që ka ndarë demokratët. Nuk mund të jetë zgjidhje apo alternativë izolimi i vazhdueshëm dhe fshehja pas alibive që nuk na bëjnë fitues por na zvogëlojnë përditë.
Në çdo kuti votimi nga Vermoshi në Konispol, mesazhi i shqiptarëve dhe demokratëve është i qartë. Ne duhet të pranojmë gabimet tona duke e përdorur krenarinë tonë për të ndërtuar një PD ndryshe dhe jo për të mohuar faktet”, tha Tabaku.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Dhurata Çupi. Edhe kjo shprehet se PD duhët të bashkohet, pasi ndryshe do të jetë sërish humbëse përballë socialistëve. Sipas saj, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Frytet e përçarjes gati 2 vjeçare i morëm të dielën. Disfatë në bastione, humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive. Mijëra demokratë qendruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Mijëra qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës. Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë”, tha ajo.
Më i ashpër nga të gjithë ka qenë Agron Gjekmarkaj. Sipas tij, e vetmja mënyrë që PD-ja të shpëtohet nga asgjësimi, është ulja e palëve në tavolinën e bashkëbisedimit. Ai tha gjithashtu se ish-kryeministri, Sali Berisha duhet të distancojë veten dhe familjen e tij nga PD në mënyrë që demokratët të bashkohen dhe partia të rithemelohet.
“Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re. Ajo nuk ndërtohet me çelik e gur, duhen njerëz të rinj dhe ide të reja. Foltorja duhet të çmobilizohet, partia e vulës gjithashtu, të çmobilizohet e të mos bëjë asnjë veprim.
Duhet të krijohet një atmosferë komunikimi mes grupeve, të shkohet drejt rithemelimit për muaj, jo menjëherë. Nuk mund të bëhet rithemelimi menjëherë. Të shkohet drejt një kongresi pajtimi dhe zgjedhjes së një lideri që unë e përjashtoj të jetë Berisha. Nuk përjashtoj të ndodhë më e keqja, që Berisha të mos reflektojë. Duhet të distancojë veten dhe familjen nga partia në mënyrë që të bashkohen demokratët. Ndryshe do ndodhë që Berisha do radikalizohet, do mbajë rreth vetes militantë që do i pakësohen”, tha Gjekmarkaj.
Të tre deputetët nuk e kanë pranuar Berishën si lider dhe kanë qenë të rreshtuar krah Alibeajt. Me mesazhet e sotme ata ja bënë të qartë “non gratës” se ai është problemi dhe për faj të tij nuk ndodh bashkimi. Kjo do të thotë se tani pritet të nisë një konflikt i ri në PD ku me shumë mundësi deputetët në fjalë dhe shumë të tjerë do kërkojnë që Berisha të largohet. /Pamfleti