Pas shkrimit të djeshëm botuar nga ShkodraNews,(lexo këtu) në mënyrë të papritur na kanë mbërritur një mori informacionesh. Duke qenë staf modest, për momentin, e kemi pak të vështirë të menaxhojmë dhe të verifikojmë gjithë këtë informacion.
Sapo të kemi në dorë faktet e mjaftueshme ne do t’i tregojmë publikut emra, mbiemra, etj mbi pazaret, dallaveret dhe pisllëqet që bëjnë disa gjykatës.
Deri atëherë kërkojmë mirëkuptimin tuaj për pak kohë, ndërkohë, ne për të treguar paanshmërinë tonë duam të refuzojmë publikisht, si më poshtë vijon:
- Refuzojmë të besojmë në mënyrë kategorike informacionin e dërguar ku thuhet se gjykatësi Fuat Vjerdha ka ushtruar presione dhe kërcënime të ulëta ndaj Shkollës së Magjistraturës dhe me çdo kusht do që vajza e tij të bëhet gjyqtare. Është i vërtetë vetëm fakti që Aela Fuat Vjerdha, edhe sipas dokumentit më poshtë është kualifikuar në provimin e pranimit në profilin gjyqtar/prokuror/ndihmës ligjor.
- Refuzojmë të besojmë kategorikisht informacionin e dërguar se dy gjyqtarë shtatlartë, që ngasin dy makina Volkswagen Golf 5 me xhama të zinj, takohen tek Bar Restorant Marku në Tarabosh ku bënin pazare, emërime në KLP dhe një mal edhe më të lartë se Taraboshi, me punë të tjera të zeza.
- Refuzojmë të besojmë kategorikisht se një gjykatës që punon në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Pergjithshëm është i një firme ndërtimi kamufluar në mënyrë të sofistikuar.
- Refuzojmë kategorikisht të besojmë së një gjykatës që hiqet në korridoret e drejtësisë të Shkodrës si i fortë në kuptimin e parë të fjalës merr lekët e korrupsionit tek një lokal jashtë Shqipërie, por jo dhe shumë larg saj.
- Refuzojmë kategorikisht të besojmë një listë me avokatë që marrin lekë ekstra jo vetëm kur bëjnë sekserin por edhe kur nuhasin që çështja është e fituar nga pala që mbrojnë sepse gjyqtari nuk ka shumë kohë ose interes të merret me atë punë./ShkodraNews