Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte i ftuar sot në emisionin Breaking në Top News.
Mes të tjerave ai u pyet nga moderatorja në lidhje me akuzën që Belind Këlliçi i bëri atij dhe qeverisë “se po shpifnin në lidhje me çështjen e diplomës së shkollës së mesme”.
“Njeriun nuk e fëlliq gjëja që nuk ka bërë. Një njeri edhe nëse nuk e ka bërë shkollën, e bën më vonë. sot ka shkollë nate. Njeriun e fëlliq gjëja që ka bërë.
Në CV nëse nuk ke bërë shkollën, mund ta bësh më vonë. Por nëse ke qenë klor për të pastruar fytyrën e Sali Berishës, kjo është diçka që ti nuk e heq dot kurrë.
Unë besoj se kush pranon sot të dalë kundra Amerikës dhe të ketë në CV gjithë jetën e vet, që ishte aty si sapun për fytyrën e Berishës, e cila është sot e papastrueshme, është e rëndë.
Sot është i pakundërshtueshëm dhe i pakthyeshëm vendimi për personat non grata, unë besoj se kjo është diçka më e rëndë.
Më e rëndë është përfaqësimi i Sali Berishës, njeriut që ka veshur më shumë gra me të zeza në këtë qytet, njeriu që ka shkatërruar të gjithë pasurinë e shqiptarëve në vitin ’97, njeriu që hodhi në erë 26 jetë në Gërdec, njeriun që vrau me plumba në mish në bulevard, njeriun që sot nuk kalon dot Rinasin.
Të përfaqësosh dhe të bëhesh sapun për fytyrën e Saliut është më e rëndë. Të bësh shkollën e mesme ka gjithmonë një shans të dytë dhe unë besoj se për të gjithë duhet të ketë një shans të dytë. Tirana është qyteti i shanseve të dyta dhe Belindi ka kohë ta marrë diplomën“, tha Veliaj.