Tre sundimtarët Sali Berisha, Ilir Meta e Edi Rama, të cilët kanë marrë peng dhe komandojnë prej 30 vitesh Shqipërinë, duke qenë kupola e saj politike, shtetërore, ekonomiko- financiare e mafioze, janë përzgjedhur sipas platformës “Katovica” nga ish-kupola komuniste.
Në vitin 1990 e në vitin 1992, kur PD u krijua dhe erdhi në pushtet, Sali Berisha i mbushi zyrat nga qendra në rrethe vetëm me komunistë e xhelat burgjesh politike të konvertuar në demokratë, madje më shumë komunistë kishte në PD, se në PS që ndryshoi “lëkurën” por jo zakonin.
Edhe pas 32 vitesh përmbysje, në kupolën e PS e qeverisë është Edi Rama i Spiro Kolekës, Gramoz Ruçi, Belinda e Beqir Ballukut etj., e po kështu në kupolën e drejtësisë, policisë, presidencës, arsimit, shëndetësisë, diplomacisë, në PS, Foltore dhe Partia e Lirisë.
Kubeja e vazhdimësisë janë Sali Berisha, Ilir Meta e Edi Rama, të cilët nuk heqin dorë nga nderimi i simboleve e datave përkujtimore të figurave të diktaturës, madje i rakordojnë veprimet ceremoniale shumë mirë me njeri-tjetrin.
P.sh., nuk besojmë se është rastësi, që Edi Rama e hapi fushatën me mbjellje pemësh, qiparisësh dekorativë e këngë partizane në Farkë, më 11 prill në ditën dhe orën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, ose 3 ditë para përcaktimit në Kodin Zgjedhor.
Nuk besojmë se është rastësi, as fakti që Sali Berisha e Ilir Meta, njeri mik i familjes dhe mjek i diktatorit, ndërsa tjetri nipi i Sulo Gradecit, do ta hapin fushatën më 15 prill, fiks në ditën dhe orën e varrimit të Enver Hoxhës, kur mund ta bënin 1 ditë pas.
Për këta që hiqen si “idhujt” e demokracisë, komunizmi e enverizmi nuk janë thjeshtë nostalgji, por gen-ideologji; nga e cila prej 30 vitesh nuk pranojnë të distancohen publikisht, as me 1 copë letër të quajtur “Rezolutë parlamentare anti-komuniste” të cilën e kërkon dhe BE./Pamfleti