Edi Rama si Xi Jinping: kërkon edhe 10 vjet pushtet!

Ndërsa bota perëndimore lëshoi alarmin për Kongresin që sapo u mbyll të Partisë Komuniste Kineze; ku Xi Jinping mori mandatin e tretë 5 vjeçar, Xi-ja jonë me mjekër të bardhë kërkoi edhe 10 vjet të tjera…

Nga Vlora, Edi Rama, ku kishte sajuar një teatër ‘alla lejfen’, mori një shportë gjigande me karafila, që Enver Hoxhës as as që i kishte shkuar ndër mend.

Kur në vitin 1981, Milaim Zeka i dhuroi shportën e vogël me “karafilat e Kosovës”; Enveri ja hodhi turmës që e brohoriste, ndërsa ‘lejfeni ynë shakaxhi’ i mbajti për vete.

Po ta shohësh me logjikën e kohës, edhe Enve Hoxha qëndroi kryeministër deri në vitin 1954, pra vetëm 10 vjet, kurse Edi Ramës i duket pak që ka hyrë në vitin e 11 të dominimit thuajse absolut të tij.

Se edhe Enveri delegonte pushtet shumë më tepër se Rama, që jo vetëm komandon gjithë pushtetin qendror, por urdhëron për gjithçka edhe bashkitë. Si në Vlorë, feudin e tij politik, të cilën e ka lënë një bashki pa asnjë funksion, ngaqë ka paralizuar kryebashkiakun e zgjedhur, Dritan Leli. Të cilin e dëboi nga PS, vetëm se kryetari i bashkisë donte të bënte punën për të cilën ishte votuar.

E i gjithë ky pushtet absolut e ka kthyer Shqipërinë në një cirk që lëviz, mendon, e shtiret gjatë gjithë kohës, fiks si Babloku që ka qejf ‘të fortit’.

Edhe në ditën e kiametit, ku moti i keq përmbyti gjithë fushat e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Lezhës, e deri në Kukës e Tropojë, miset e Edit në qeveri bënin transmetim live nga Vau i Dejës. A thua se diga dhe salla e komandës së hidrocentralit është arena e idiotësirave të emisionit ‘Përputhen’. E ku Arjan Konomi si analist, është më serioz se figurantët e teatrit ramian, të cilëve nuk ju dëgjohet ç’thonë, por mënyra sesi paraqiten para publikut.

Të lodhur, me mushama e kapuçë, sikur kanë shpikur ‘nallanet’, duke treguar në transmetim live se po qëndrojnë në punë gjithë kohës.

Po a nuk është ajo për të cilën paguhen?  Balluku na e shet për heroizëm se po shkojnë në çdo vend të Shqipërisë duke transmetuar nonstop në televizione e rrjet sociale. Askush nuk ja kërkon që të bëjnë xhiron e rrjetit, por thjesht të bëjnë detyrën e menaxhimit të punëve, si dhe të taksave tona.

“Ndoshta jo me mua, por me Partinë Socialiste do jeni edhe 10 vjet”, tha komediani- kryministër nga Vlora, para një populli që plagën më të madhe ka mbajtjen mbi supe për vite e vite, të të njëjtëve surretër të mërzitshëm e të lodhshëm të politikës. Që nuk ngopen e nuk ngopen, e nuk po dinë të mendojnë se kështu po e thajnë edhe atë pak shpresë e talent të njerëzve, të rinjve që po ikin çdo ditë nga Shqipëria. E cila realisht nuk ka zgjidhje me rotacion politik, me ndërrim aktorësh që recitojnë vetëm libretet provinciale të “Estradës së Ballshit” sa ua kanë shpifur të gjithëve.

Duhet një big-bang i vërtetë politik, një goditje meteori që të shuajë këtë farë që po ua thith njerëzve lëngun e logjikës së trurit, me monotoninë vrasëse të marrinave që nuk pushojnë nga mëngjesi në darkë.

Po kush mund ta bëjë këtë? Askush më mirë se Amerika, e cila duhet të mbështesë atë shumicë publike që do ta rrëzojë këtë maskaradë. Si fillim, duke i njollosur të gjithë të fuqishmit e kësaj kaste, me statusin e të pandehurit nga SPAK. Kjo do të jetë goditja e parë që do të marrë kjo kështjellë prej rëre, e cila nuk është aspak aq e fortë sa e di veten…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej