Edi Rama nuk po resht së zbatuari skenarin ‘Erdogan’ në Shqipëri. Skenari parashikon që përveç rritjes së pushtetit të tij piramidal në çdo cep të shtetit dhe shoqërisë, edhe krijimin e një mjedisi politik “të ndryshëm” por që ta ketë aleat. Jo vetëm sot, por edhe në vitet që vijnë, kur mund ta largojnë nga politika.
Prej kohësh, Rama ka vendosur në poste kyçe në qeveri dhe administratë, individë që konsideroheshin si “të djathtë” e që janë filiza të një projekti politik që kanë ngritur disa prej oligarkëve të fuqishëm në vend.
Popullarizimi viral i biznesmenëve të ndryshëm që i përkasin konstelacionit të djathtë si Gjergj Luca apo edhe të tjerë, por që janë pranë Edi Ramës, apo afrimi me xhentilesë i një figure të rëndësishme si Aurel Plasari në një aktivitet në nivelit të lartë në Kryeministri, nuk janë gjë tjetër veçse manovra politike.
Siç dhe është ambicja për të marrë Shkodrën në zgjedhjet vendore, që duket se synon më shumë të marrë pjesë nga elektorati i djathtë në vend.
I gjithë ky operacion nuk duket i izoluar, përveçse një përpjekje për të gjeneruar dhe ndikuar në popullarizimin e figurave që janë të djathta, që janë njerëz që vijnë nga shtresa intelektuale apo edhe biznesi. Mund të mos jetë direkt një krijim i një force të re politike në vend nga duart e njerëzve të tij, por një tentativë të orientojë një proces politik, i cili duket qartë se është i tillë.
Aurel Plasari, përveçse një intelektual që ka pasur një marrëdhënie miqësie me Edi Ramën dikur, i cili e emëroi edhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare, është edhe një kritik shumë i fortë i Ramës kryeministër thuajse në 10 vitet e tij qeverisëse. Në të gjitha çështjet e mëdha, që nga teatri apo zgjedhjet, profesor Plasari ka dalë kundër Edi Ramës, madje me qëndrime të forta.
Të gjitha këto qëndrime, i kanë leverdisur opozitës shqiptare, madje edhe i kanë rritur kuotat, kur në krah ka pasur intelektualë me emër si profesor Plasari. Por nga ana tjetër, kjo opozitë jo vetëm që s’i ka afruar, por i ka mbajtur sa më larg që të mundet njerëz të tillë me përgatitje të lartë kulturore. Madje nuk i ka ftuar as në forume të ndryshme diskutimi apo auditore. Ku siç e kemi parë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, ftojnë vetëm njerëz që kanë shërbyer si ministra apo zyrtarë nën Edi Ramën e sot thjesht janë të inatosur me të. Thënë troç, njerëzit që përkrahin më shumë Sali Berishën e janë bërë miqtë më të ngushtë të enturazhit të Berishës janë tipa si Andis Harasani, Ylli Manjani, Brisi i Tatimeve e figura të tjera, të cilët kur kanë qenë në pushtet nuk kanë lënë gjë pa thënë për Partinë Demokratike e Sali Berishën. Por në fakt, ata e bëjnë këtë sepse kanë të njëjtët halle personale me Ilirin e Saliun.
Ndërkaq, njerëz si Aurel Plasari, Edi Rama e rithirri sërish, duke i hapur dyert e kryeministrisë. Një vëzhgues jo i hollë por krejt normal i politikës, do të mendonte: Çfarë po i ofron Edi Rama Aurel Plasarit? Drejtor Bibloteke, Plasari ka qëndruar gjatë e sipas gjasave as nuk do ta pranonte më. Mos po e bën gati për ministër Kulture? Askujt të mos i duket çudi, por fakt është se kjo është një lëvizje e fortë për të tërhequr drejt vetes elektoratin gri afër të djathtës. Që më pas të thonë: “vjedh i gjati vjedh, po ai maloku s’na qas fare…”/ Pamfleti