Ministrja për Sipërmarrjen dhe drejtuesja politike e PS Shkodër, Edona Bilali, shprehet se Partia Socialiste do të përzgjedhë si kandidat për President një figurë, e cila të ketë pëlqimin e të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe opozitën. “Partia Demokratike dështoi, tha ministrja Bilali, “që të sjellë kandidatur në 3 raundet e para dhe tashmë do jetë PS që në dy raundet e mbetura të përzgjedhë një president, që të jetë i gjithë shqiptarëve”.
Ministrja socialiste shprehet se nga 3 kandidatura të mundshme, ajo ka propozuar për President të ardhshëm dy gra shkodrane, emrat e të cilave nuk i bën të ditura. Pavarësisht propozimeve të saj, Bilali shprehet se do të votojë cilëndo kandidaturë që do të marrë dakordësinë brenda PS, sepse sipas saj, Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë përbashkuese për gjithë shqiptarët.
Ajo foli edhe për procesin e zgjedhjeve se kryetarëve të PS në qarkun Shkodër ku aktualisht po shqyrtohen dosjet e kandidatëve ndërsa u bëri thirrje socialistëve që të lënë ndasitë sepse vetëm bashkimi mund të bëjë që PS të fitojë Shkodrën në zgjedhjet e ardhshme vendore. Aktualisht në degët e PS të qarkut Shkodër janë rreth 25 kandidatura për Shkodrën, Malësinë e Madhe, Vau Dejësin, Pukën dhe Fushë Arrësin, ku Shkodra ka numrin më të madh. Lista e tyre është: Arbis Vjerdha, Erion Metushi, Hilmi Lakti, Luan Harusha, Mirela Dodaj, Paulin Ndoja, Rudi Sokoli, Valdo Dibra, Vjollca Vuçini.