Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej Elmilind Dyli, 19-vjeç, i kërkuar për masakrën e Velipojës, me 4 viktima. Interpol Tirana në bashkëpunim me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni, organizuan operacionin policor të koduar “Rimini”
Në kuadër të të cilit u arrestua Dyli. Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar Elmilind Dyli, i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Elmilind Dyli, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.