Pa as 1 ditë punë, as si sportelist në Ministrinë e Jashtme, por vetëm se zotëron gjuhën angleze dhe prej 3 vitesh po shërben si analist i përditshëm i qeverisë; ish-deputeti e kryetari i PS së Tiranës, Ervin Bushati, është propozuar nga Babloku për postin Ambasador në SHBA.
Propozimi fundor i emrave për ambasador është kompetencë e kryeministrit dhe i dekreton Presidenti, të cilët duhet të zbatojnë nenin 46 të Ligjit Nr. 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm Diplomatik”, ku është ky përcaktim:
– Ambasador i Shqipërisë, emërohet një diplomat karriere, i cili ka gradën “Ambasador” dhe që ka përfituar 12 gradat e tjera të niveleve fillestare të karrierës, si Agjent Konsullor, Zv/konsull, Konsull, Atashe, Sekretar i Dytë, Sekretar i Parë e deri te titulli Ambasador që është më i larti.
Gjatë 20 viteve aktivitet, Ervin Bushati nuk ka pasur lidhje pune apo profesionale me shërbimin diplomatik dhe nuk ka njohuri për këtë sektor, mbasi është marrë me biznes privat në ndërtime, menaxher e ekonomist dhe në zyra këmbimi valutor e agjent i kredive bankare.
Posti më i lartë që ka mbajtur Ervin Bushati, ka qenë deputet i PS. Funksioni më i lartë partiak ka qenë kryetar i PS të Tiranës. Angazhimi publik, është kryetar grupi në rrjetet “Patronazhisti” e “Aktivisti” dhe analist i përditshëm i PS e qeverisë “Rilindja” në televizione.
Ndërsa posti më i lartë administrativ i Ervin Bushatit në këto 20 vite brenda PS, ka qenë 6 muaj Drejtor i Përgjithshëm i Posta Shqiptare, në periudhën 28 shtator 2021-26 mars 2022; i shkarkuar nga kryeministri Edi Rama për korrupsion pas denoncimeve e informacioneve nga Anti-Krimi e SHISH, se hapte e kontrollonte zarfa, koli e kuti postare të biznesmenëve, politikanëve, ambasadave dhe disa institucioneve të qeverisë, policisë e drejtësisë.
Por Ervin Bushati, i propozuari për Ambasador i Shqipërisë në SHBA, përveçse nuk ka asnjë lidhje me shërbimin diplomatik, dhe përveç CV-së si shërbëtor i zjarrtë partiak e drejtor poste me “njolla”, vazhdon te jetë nën hetim nga SPAK, për shumë pasuri të zeza, fshehje të tyre dhe mashtrim e falsifikim në formularët e vetë-deklarimit në vitet 2014-2018.
Hetimi i SPAK ndaj Ervin Bushatit, është ende në proces me Dosje Penale nr. 93/2020, bërë publike nga prokurorja e çështjes Doloreza Musabelliu, e cila tha: – Shtetasi Ervin Bushati është në proces hetimi dhe nuk ka e nuk do ketë zvarritje”. (Por po zvarritet)
Ndërsa Babloku, ka menduar që ekonomistin Ervin Bushati, pa asnjë gradë minimale diplomatike, pa punuar as si sportelist në Ministrinë Jashtme, dhe nga Drejtor Poste e me dosje penale në SPAK, do ta emërojë Ambasador në SHBA.
Po sikur Ervin Bushati, të merret “I pandehur”? Apo Babloku e Dumani, kanë rënë dakord ta pushojnë çështjen, para se Ervini të dekretohet nga Bajram Begu?/Pamfleti