Avokati Spartak Ngjela ka paralajmëruar se me ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në vendin tonë, do të ketë një frymë të re në luftën ndaj korrupsionit.
Në një emision, ai tha se David Kostelançik është një profil më i lartë politik se ambasadorja Yuri Kim dhe kjo tregon rëndësinë që po i japin amerikanët vendit tonë. Sipas Ngjelës, fokusi i punës së tij do të jetë forcimi i luftës antikorrupsion. Nga ana tjetër, Ngjela paralajmëroi dhe Berishën, i cili po sulmon ambasadoren. Sipas tij, nëse Berisha bën të njëjtën gjë me ambasadorin e ri, atëherë ka bërë autogol.
“Ambasadori që vjen është një personalitet i rëndësishëm. Është nga radhët e ushtrisë. Ka pasur poste të larta. Kjo e ngre personalitetin e Shqipërisë. Kjo tregon se SHBA e vlerëson Shqipërinë. Ambasadori do ta shtrëngojë luftën antikorrupsion. Kjo sepse ligjet kanë dalë, por pushteti gjyqësor nuk funksionon. Opozita në mënyrë banale ka akuzuar ambasadoren me gënjeshtra. Me budallallëqe që nuk i thonë as fëmijët. Por kjo mund të ketë ngjitur te opinionin publik djathtas. Vjen ambasadori i ri dhe është më i fortë. Nëse Saliu e godet këtë, do jetë faji i Saliut. Vjen një person më i rëndësishëm, pavarësisht se ajo u tregua shumë e aftë. Ky i riu vjen nga një pozicion politik i artë. Dhe pyetja është si do operojë ky me luftën antikorrupsion, kur vetë politika amerikane ka thënë se SPAK janë të trembur dhe të blerë. Ajo e ka thënë këtë. Tani erdhi ky. Çfarë do sjellë? Nga akt të parë do shohë se ku jemi”, tha Ngjela.
Më tej ai tha se korrupsioni është gangrenë e vendi tonë. Ai tha se përveç Dakos, SPAK ka mundësi për të shkuar dhe te emra të tjerë.
“Korrupsioni ka dëmtuar shoqërinë, mirëqenien. Dhe politika amerikane do duket që e vazhdon është në favorin tonë. Të paktën ta sjellim korrupsionin në termat e Perëndimit. Ka kudo, por nuk janë fenomen”, tha ai.
Kandidatura e ambasadorit është aprovuar në Senat dhe tani pritet vetëm emërimi. Ambasadores Kim i ka mbarur mandati që në janar dhe ajo po qëndron në pritje të zëvendësuesit.