Euro përtokë, bankat plotë me monedhën europiane: Kapet rekordi

Depozitat iu rikthyen rritjes me ritme të larta në qershor, për herë të parë që nga muaji janar i këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor, stoku i depozitave që bizneset, individët dhe institucionet e tjera kanë në banka arriti në një nivel të ri rekord prej 1.24 trilionë lekësh (10.3 miliardë euro), me një rritje prej 11 miliardë lekë, ose 1% më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm.

Kjo tendencë vjen pas katër muajsh që kursimet në vend kishin shfaqur shenja dobësie. Në shkurt dhe në mars, tendenca ishte në rënie, ndërsa në prill dhe maj, rritja mujore ishte minimale.

Në qershor, zgjerimi i depozitave u ndikua pothuajse në mënyrë të barabartë si nga Leku, ashtu dhe nga valuta.

Kursimet në lekë u rritën me 1.05% me bazë mujore, të ndikuara më shumë nga individët dhe më pak nga korporatat e tjera financiare.

Depozitat në valutë u shtuan me 0.78% me bazë mujore, duke e pasur ndikimin më të madh nga korporatat e tjera financiare, dhe më pak nga individët.

Për të dyja llojet e monedhave rritja ka ardhur nga llogaritë pa afat, teksa normat e ulëta të interesit nuk nxisin mbajtjen e kursimeve me afat të gjatë. Por, pas dy vendimeve të fundit të Bankës së

Shqipërisë për rritjen e normës bazë, nga niveli minimal historik prej 0.5% në 1.25% aktualisht pritet që të kenë të njëjtën tendencë edhe interesat e depozitave duke nxitur sidomos individët që të mbyllin kursimet në afate më të gjata. (nga mesi i vitit 2011, tendenca e interesave ishte në ulje për shkak të politikës monetare lehtësuese të bankës së Shqipërisë, duke dekurajuar mbajtjen e kursimeve me afat). Këtë vit, Banka për herë të parë ndryshoi kursin e politikës monetare, për shkak të inflacionit të lartë.

Me bazë vjetore (qershor 2022/qershor 2021), depozitat janë rritur me 8.1%. mbi 80% e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në valutë (efekti real është dhe më i lartë pasi depozitat në euro raportohen në lekë dhe ka një efekt nënvlerësimi si rrjedhojë e rënies së euros).

Si rrjedhojë, pesha e kursimeve në valutë në fund të qershorit arriti në 56.1%, nga 53.8% në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: Banka e Shqipërisë/Monitor

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej