Europol zbërtheu aplikacionin “SKY”, ish-prokurori: Mijëra biseda të kriminelëve u janë dërguar autoriteteve shqiptare

Pazaret e drogës, planet për të eleminuar fizikisht rivalët e të tjera skema kriminale janë biseda që jo gjithmonë bëhen sy më sy, raporton Pozitivi. Grupet kriminale përdorin aplikacione të padepërtueshme nga policia. Po si ka evoluar përdorimi i telefonisë? Ish prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci, rrëfen mënyrën për Pozitivi.

Pas viteve 90 deri në 2003-2004, kanë qenë telefonat statik që përgjoheshin. Duhej vendim gjykate e më pas çohej në Albtelekom.

“Me futjen e aplikacioneve që përdornin internetin, u bë jo efikase përgjimi i numrave telefonikë nëpërmjet linjave direkte. Për këtë arsye përgjimi telefonik doli jashtë mode dhe nuk kishte rezultatet e bumit të vet. Siç zhvillohet dhe teknologjia, normal që duhet të zhvillohet teknologjia e përgjimit”, thotë Beci.

“Fakti që përdorin internetin, inkriptime të ndryshme dhe kanë servera në vendet e ndryshme të botës, nuk është e mundur përgjimi në kohë reale. Vitet e fundit kjo teknologji u përsos më tepër dhe ka shumë aplikacione që nuk janë standarde. Pati disa aplikacione që patën inkriptim të madh dhe ishin të pamundura të zbërthehej nga ana jonë”, thotë ai.

Nëpërmjet ekspertizës dhe programeve u zbardhën biseda. Zbërthimi i aplikacionit “Sky” nga Europol ndihmoi në zbardhjen e shumë bisedave mes grupeve kriminale.

“Megjithëse telefoni kapej fizikisht dhe sekuestrohej është aplikacioni i fundit Sky që për shkak të zbulimit nga Europol në kapjen e një serveri dhe inkriptimin e një numri të madh bisedash telefonike duket se do të sjellë një boom kundër krimit të organizuar dhe mafias. Pasi me aq sa kemi dijeni ky ishte i pazbulueshëm për vite me radhë. Dhe shpeshherë komunikimet bëheshin nëpërmjet këtij aplikacioni. Europol i ka vënë në dispozicion shteteve të ndryshme gjithë mesazhet që kanë të bëjnë me rajonet e tyre. Pra, në rast se në Sky janë gjetur 200 mijë përdorues, këto të dhëna të këtij programi i përcillen autoriteteve shqiptare që do bëjnë zbërthimin”, thotë Beci.

Grupet kriminale shqiptare u rikthyen në komunikimin e dikurshëm primitiv me letra. Sado përpara të shkojë teknologjia, kjo është metoda më e sigurt.

“Kjo ka qenë një metodë e njohur nga mafia italiane me copa letra. Kemi pasur disa raste kur personat që e kishin të pamundur me teknologjinë realizonin biseda live dhe biseda që shpeshherë duhet të bëheshin fizikisht. Sot që flasim për kriminelet gjëja më e sigurt janë letrat, përmes korrierëve ose komunikimi live duke shmangur edhe makinat e tyre dhe mjetet e transportit publik. Kriminelet e kanë kuptuar që perdorimi i telefonit në mos sot, nesër, do përbëjë rrezik” thotë Beci.

Por edhe përgjimet private janë shqetësim.

“Ka pasur raste që grupet kriminale blejnë pajisje që mundet të kryejnë përgjime private për llogari të aktivitetit të tyre. Ajo që ne e njohim si “imsi chatcher” mund të bjerë në dorë të grupeve kriminale dhe ky grup përgjon për llogari të vet jo vetëm kundërshtarët por edhe organet ligjzbatuese” thotë Beci.

Grupet kriminale janë në përpjekje të vazhdueshme për të blerë aplikacione që kanë mbrojtje shumë të lartë nga zbërthimi i tyre.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej