Eurozona do të përballet me krizën më të madhe financiare në histori, ekspertët ngrenë alarmin: Europa do të zhytet në recesion

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kriza ekonomike është zmadhuar në të gjithë Evropën për shkak të varësisë së qindra miliona banorëve në gazin nga Rusia, ndërkohë që fluksi nga gazsjellësi kryesor Nord Stream 1 midis Rusisë dhe Gjermanisë, ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, ka qenë 60 për qind më e ulët se rrjedha standarde gjatë pesë viteve të fundit.

Moska u “justifikua” me faktin që kjo linjë e eksportit të gazit duhej të mbyllej për shkak të një “mirëmbajtjeje rutinore” e cila kryhet çdo vit, por edhe pas përfundimit të saj ditën e enjte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi se një ndërprerje e plotë e rrjedhave të gazit rus në Evropë është ende “një skenar i mundshëm”.

Sipas Komisionit Europian, inflacioni i Eurozonës parashikohet të rritet në 7.6 përqind këtë vit, nivel ky shumë më i lartë se parashikim i deritanishëm që rezultonte në 6.1 përqind.

Charles-Henri Gallois, President i fushatës Generation Frexit në Francë, ka lëshuar një paralajmërim tmerri se Evropa së shpejti do të përballet me “krizën më të madhe financiare në historinë e saj”.

“Sanksionet ekonomike po i bëjnë më shumë dëm Evropës sesa Rusisë. Recesioni është i dukshëm. Kostoja më e lartë e energjisë do të ulë kërkesat për të gjitha produktet e tjera aq më tepër kur çmimet e produkteve të tjera po rriten gjithashtu. E gjitha ishte një gabim në përpjekje për të shpëtuar euron.

Sanksionet kundër Rusisë janë një vetëvrasje për Evropën. Kur sanksionet ekonomike ju godasin më shumë ju se sa objektivin, janë budallallëqe.

Unë jam kundër pushtimit të Ukrainës, por ne duhet të ndalojmë sanksionet dhe të fokusohemi te paqja për të shmangur vetëvrasjen e Eurozonës.

Nëse nuk e bëjmë këtë, Evropa do të përballet ndoshta me krizën më të madhe financiare në historinë e saj”, tha ai për mediat britanike.
Z. Gallois paralajmëroi gjithashtu se ndërsa euro vazhdon të bjerë në vlerë në tregjet e monedhës, çmimi i gazit dhe naftës vetëm do të rritet edhe më tej.

Në fillim të këtij muaji, euro ra nën vlerën e dollarit amerikan për herë të parë në më shumë se 20 vjet, duke vënë edhe më shumë në dukje të gjitha sfidat me të cilat do të duhet të përballet monedha e përbashkët evropiane.

“Disa vende evropiane si Gjermania dhe Italia janë shumë të varura nga gazi rus. Një gjë e tillë nuk mund të zëvendësohet aq kollaj.

Vendet e tjera evropiane, përfshirë Francën, do të vuajnë, aq më tepër që Rusia është edhe një furnizues i rëndësishëm i naftës gjithashtu.
Tani, ne po blejmë të njëjtën sasi nafte, por që po e sigurojmë nëpërmjet Indisë ose Arabisë Saudite çka solli një rritje të çmimit. Ndërsa euro po bie, detyrohemi të paguajmë më shtrenjtë të njëjtën sasi”, u shpreh Gallois.

Kujtojmë se të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian zonja Von der Leyen paraqiti një pamje të zymtë duke paralajmëruar se Rusia ka të ngjarë të ndërpresë furnizimet me gaz në kontinent.

Ajo nisi një shpërthim të furishëm kundër Rusisë, ndërsa propozoi se vendet anëtare duhet të nisnin “racionimin” e gazit, duke propozuar një objektiv me reduktim prej 15 përqind të sasisë së harxhuar deri në mars 2023.

“Rusia po na shantazhon. Rusia po përdor energjinë si armë. Dhe për këtë arsye, në çdo rast, nëse është një ndërprerje e pjesshme, e konsiderueshme apo edhe një ndërprerje totale e gazit rus, Evropa duhet të jetë gati”, u shpreh ajo./Express.co.uk

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej