Gazetari paralajmëron arrestimin e Sali Berishës, si po thur komplote bashkë me Ilir Metën për të shpëtuar nga prangat

Analisti i njohur, Frrok Çupi paralajmëron zhvillime të forta në politikën shqiptare. Sipas Çupit, me ndihmën fuqishme nga pas të amerikanëve, ish-kryeministri demokrat Sali Berisha do të pësojë një fund tragjik nga drejtësia e re. Në një intervistë për gazetën “SOT”, analisti tregon se Berisha nga frika e prangave po thur komplotet bashkë me aleatin e tij ish-presidentin Ilir Meta që të rrëmbejnë Partinë Demokratike dhe ta përdorin si armë kundër Amerikës dhe pro- Lindjes së Mesme. Frrok Çupi gjithashtu është i bindur se CIA disponon të gjithë të zezat e kreut të Foltores. Sipas Çupit, Berisha prej 30 vjetësh i shërben një ideje të fuqisë së tretë, e cila e rrënoi Shqipërinë nën pushtetin e Berishës. Sipas këtij, amerikanët i disponojnë të gjitha provat.

Zoti Çupi, duke parë situatën në Veri, ku Vuçiç po provokon konflikt të armatosur, si e komentoni raportin e CIA të cilët zbardhën luftën e Berishës kundër Kosovës për interesat e Millosheviçit?

Disa thonë se konfliktin po e provokon Serbia, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe BE po drejtojnë gishtin mbi Albin Kurtin e Kosovës. Kurti po tenton të shkaktojë Luftën Ballkanike. Rreziku i Kosovës mund të thuash se e ka tejkaluar rrezikun e Ukrainës. Këtu dikush po luan me Kosovën dhe dikush nga Kosova po ia jep Kosovën në ‘çini’ si kokën e dashit atij ‘Dikujt’ tjetër. Kurti po bën lojën e të tretit. Analistë perëndimorë shikojnë se këtu ka lidhje me pjesët ruse në Beograd, disa të tjerë mendojnë se para se Kosova të bëhet ‘ruse’, fillimisht do të bëhet ‘Islamiste’, e pastaj si Siria nën Rusi. Rreziku është i paimagjinueshëm. Kurti i Kosovës e ka shpallur SHBA armik të Kosovës dhe po e sfidon para gjithë botës. Në këtë rast Serbia po luan rolin e luajalitetit me Perëndimin, por jo Kosova. Në fakt Kosova është krijesë e SHBA dhe NATO-s, por tani Kosova ka hyrë në konflikt me dy ‘nëna’. E para është SHBA-NATO-BE; dhe nëna e dytë është  Shqipëria, që në Kosovë e quajnë ‘shteti amë’. Nëse Kosova nuk kthehet në rrugën e treguar nga aleatët e Perëndimit, atëherë pasojat do të jenë të tmerrshme. Madje do të jenë të rënda edhe për Shqipërinë. Ky rrezik ka që nga viti 2021 që vërtitet si fantazmë mbi Shqipëri, por ishte meritë e Edi Ramës që e perceptoi dhe e shpëtoi vendin nga rreziku që Kurti me Berishën nuk mundën ta shkaktojnë këtu. Lidhjet e Kurtit me Berishën dhe Metën kishin për qëllim që dyshja e Tiranës, e padëshiruar nga populli dhe nga SHBA, të merrnin pushtetin… Dhe pastaj e gjithë hapësira shqiptare do të ishte në këtë situatë anti- perëndimore ku ndodhet Kosova. Berisha- meqë pyetët- prej 30 vjetësh i shërben një ideje të fuqisë së tretë, e cila e rrënoi Shqipërinë nën pushtetin e Berishës. Këtë e di edhe CIA, sigurisht.

-A do e nxjerrë dhe Meta jashtë loje Sali Berishën duke parë situatën që i mori Këshillat Bashkiakë, ndërsa Berisha nuk ka as parti, as vulë, as logo?

Nuk shtrohet më çështja se cili do të nxjerrë nga loja cilin. Misioni politik dhe euroatlantik tani është tjetër gjë: Duhet të shfryhet komploti anti- amerikan që ka zënë vend në partinë e Berishës dhe të Metës, madje edhe në PD-në ligjore me vulë. Kjo është puna. Këta po bëjnë lojëra se cili do të jetë kryetari, por gjithë qëllimi është që PD-në ta venë në duar të Berishës dhe ky ta përdorë si armë kundër Amerikës dhe pro-Lindjes së Mesme.

Senatorët amerikanë të cilët ishin të pranishëm pak ditë më parë në Shqipëri bënë thirrje për autoritetet shqiptare që të vihen në lëvizje për të hetuar “non gratat”, mendoni se ka ardhur fundi i Sali Berishës?

Fundi i Berishës ka ardhur e është realizuar, me kohë. Ai është një fund që ka rënë në fund të pusit dhe duan të mos e shikojnë vetëm ata që quhen ‘trutharë’. Ose edhe njerëzit e liq që ia duan të keqen prapë vendit.

Mendoni se ambasadori i ri i SHBA që do të zëvendësojë Yuri Kim në Shqipëri do të ndjekë linjë edhe më të hekurt ndaj të korruptuarve?

Ambasadori i SHBA është ashtu siç është vetë SHBA. A do SHBA që të pastrohet ky vend nga kriminelë dhe të korruptuar që minojnë demokracinë e vendit? Fatmirësisht këtë do. Dhe këtë bëri e po bën SHBA. Kishim rastin që për 3 vjet të kishim një ambasadore të SHBA të dashuruar me hijeshinë e vendit, me vlerën kulturore të popullit dhe me fisnikërinë e njeriut. Ndërsa, zonja Yuri Kim, edhe punonte bukur, shpejt e saktë sa bisturia e kirurgut. Ambasadori i ri, që është rrugës për këtu, patjetër që do të jetë një ‘Kim’ dhe një SHBA. Njësoj.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej