GJKKO ka caktuar datën 14 shtator për seancën e parë ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Beleri ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por burgjet ia kanë refuzuar. SPAK kërkon gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor, pasi sipas akuzës u kap dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit duke blerë vota.
Më 14 shtator Beleri pritet të jetë i pranishëm në seancën paraprake.
Ndërkohë ai ka paraqitur sot dy rekurse të reja në Gjykatën e Lartë. Në një prej tyre kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkon vlerësimin e paligjshëm të arrestit në flagrancë.
Në rekursin tjetër Beleri kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar.
SPAK i akuzon Belerin për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Fredi Beleri është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit.
I dënuar dy herë, i dyshuar për masakrën e Peshkëpisë, me arsim të dyshimtë dhe i skeduar për veprimtari antishqiptare, Beleri, me emër të ndryshuar në Dionisios Fredis Beleris, u kap në flagrancë duke blerë vota.
Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndërsa më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të dyshes Meta-Berisha, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se ishte pas hekurave. Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga Greqia e cila kërcënoi Shqipërinë se vendime të tilla do të kenë ndikim në anëtarësimin në BE-së.