Togat e zeza të kryeqytetit kanë lënë në burg Ensi Mazen, 18 vjeçarin që u arrestua nga Policia e Tiranës për vrasjen e të riut Stiven Toshkezi. Ai ishte bashkë me autorin e vrasjes, shtetasin Axel Hoxhaj, por në pamjet e kamerave të sigurisë nuk kryen asnjë veprim të dhunshëm.
Megjithatë, Prokuroria e akuzon atë për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim. Avokati mbrojtës i Ensi Mazes është shprehur se klienti i tij nuk ka bërë asnjë veprim të dhunshëm, e provuar kjo dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Madje, mesnatën e 18 prillit, avokati tha se Maze ishte nën shoqërinë e autorit të dyshuar Axel Hoxha pasi ishin shokë shkolle, por nuk kishte dijeni për konfliktet e mëparshme. Madje, ai studionte në Holandë dhe më datë 19 prill kishte prerë dhe biletën e kthimit.
“Ensi Maze nuk ka parë asnjë lloj hanxhari. Axel Hoxha as nuk e ka informuar Ensin për konfliktet që ka pasur më parë. Ensi Maze nuk ka pasur asnjë lloj dijenie, as për thikë, as për konfliktet. Familjarët janë të lehtësuar pas pamjeve të publikuara në media, pasi Ensi Maze nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm.
Kur pasagjeri e sulmon, e deklaron dhe vetë që e kam qëlluar me grushte Ensi Mazen, Ensi Maze nuk bën asnjë reagim të dhunshëm. Në momentin që ka ndodh ngjarja, Ensi Maze ka telefonuar të atin dhe i ka thënë jam te stadiumi Arena. Aty ka pritur policinë dhe është arrestuar”, u shpreh avokati mbrojtës.