Pas shumë makinacionesh, për të bllokuar rihetimin e Fatmir Mediut për Gërdecin, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin, me dy akuza: “Shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “Shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.
Por SPAK nuk ka përfshirë gjithë grupin e personave të aferës me pasojë tragjedinë e Gërdecit, pasi në akuzë thotë: “Shpërdorim detyre i Fatmir Mediut, kryer në bashkëpunim”, ndërsa në dosje nuk futur asnjë emër bashkëpunëtori.
SPAK i ka provat dhe emrat e bashkëpunëtorëve të Fatmir Mediut, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ekonomisë e Ministrisë së Drejtësisë, por dhe bashkëpunëtorët biznesmenë e pronarë realë të fabrikës së Gërdecit e trafikimit të fishekëve.
Nga dëshmia e të vrarit Kosta Trebicka me urdhër të Sali Berishës; nga dëshmia e ish-Shefit të Shtabit, Luan Hoxha; nga shkresa që Aldo Bumçi i dërgonte Fatmir Mediut dhe nga dëshmia e sekretares së Aldo Bumçit, është vërtetuar se bashkëpunëtori kryesor ishte Shkëlzen Berisha.
Po kështu, nga telefonatat e Mihal Delijorgjit ditën e shpërthimit dhe nga telefonatat e Saliut me Mediun, kanë provuar se bashkëpunëtor me Fatmir Mediun ka qenë Shkëlzen Berisha. Gjithashtu është deklaruar dhe nga Efraim Diverolit në gjyq, se për biznesin e demontimit në Gërdec dhe tregtinë e fishekëve, është takuar në Tiranë me Fatmir Mediun, Shkëlzenin e Delijorgjin.
Pra, rezulton se aferën e Gërdecit, Fatmir Mediu e ka kryer në bashkëpunim me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, që nxori vendimin për të hapur fabrikën e i dhuroi tokën shtetërore.
SPAK e akuzon ish-ministrin Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre në bashkëpunim”, por nuk ka marrë të pandehur bashkëpunëtorin Shkëlzen Berisha, madje as nuk e pyetur, si person që i ka dalë emri në shumë dokumente shtetërore dhe dëshmi ortakësh e zyrtarësh të lartë të ushtrisë.
Prandaj, hetimi dhe gjykimi për Gërdecin është i mangët pa Shkëlzen Berishën, pasi provat tregojnë se djali i Saliut dhe Fatmir Mediu, kanë qenë bashkë në atë aferë me 26 viktima. /Pamfleti