Grupi i Bashës i përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Berishës, e akuzon se po shkatërron PD për interes të Metës, Bejko zbulon SMS-në që i dërgoi Këlliçit para se të shpallej kandidat

Situata brenda Partisë Demokratike është bërë motivi për një përplasje mes grupit të Bashës që drejton PD-në zyrtare dhe atij të “Foltores” të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit prej disa muajsh, sulmon ashpër demokratët që janë rreshtuar krah Lulzim Bashës dhe nuk i janë nënshtruar atij. I drejtpërdrejt në atë që thotë, Berisha pretendon se Alibeaj, Basha, madje edhe Rolanda Bejko që sot është kandidat zyrtar i Partisë Demorkatike për Bashkinë e Tiranës, janë “pengje” të kryeministri Edi Rama.

Por teksa Berisha “u ka drejtuar tytat”, edhe grupi Bashës nuk ka qëndruar indiferent, pasi në çdo rast i është përgjigjur atij “dhëmbë për dhëmbë”. Ka qenë Roland Bejko, kandidati për kryetar bashkie i PD për Tiranën, i cili teksa dje zhvilloi në takimin e radhës që zhvilloi me demokratët në Astir, theksoi se Partia Demokratike është e vetmja alternativë, ndërsa shtoi se pjesa tjetër e koalicionit Berisha-Meta, nuk është një parti e djathtë.

“Partia Demokratike në këto zgjedhje është e vetmja alternativë, ndërsa partitë e tjera janë 5 logo të majta. Qëndresa, sakrifica, puna dhe organizimi janë cilësitë kryesore që ne kemi për të fituar kundër Erjon Veliajt, kundërshtarit tonë dhe oligarkisë politiko-ekonomike”, deklaroi ai. Më tej Bejko theksoi se strategjia e Sali Berishës është forcimi i Ilir Metës dhe dëmtimi i Partisë Demokratike, jo fitorja në zgjedhje. “Me vëllezërit dhe motrat demokratë në Astir, ramë dakord që situata e rëndë kërkon mobilizim, prandaj ne do të punojmë brenda nesh për të mobilizuar jo vetëm të djathtët kudo ku janë, por edhe qytetarët që janë elektorati gri për të vendosur për bashkinë dhe këshillin bashkiak. Ajo që të gjithë ramë dakord është fakti, që strategjia e Sali Berishës është forcimi i Ilir Metës dhe dëmtimi i Partisë Demokratike, jo fitorja në zgjedhje”, u shpreh ai.

Bejko tregon bisedën me Këlliçin

Ndërkohë teksa ishte i ftuar në një studio televizive, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ka treguar për herë të parë mesazhin që i ka dërguar kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçit. Bejko theksoi se në momentin që kanë nisur negociatat mes dy grupeve, Gazment Bardhit dhe Edi Palokës, ai i kërkoi Këlliçit që të flasë me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe t’i kërkojë që të bashkohen. Nëse kjo gjë arrihej, Bejko tha se do ta kishte mbështetur kandidaturën e Këlliçit, mirëpo kjo kërkesë nuk u pranua nga Berisha.

“Po nxjerr një sekret, pa e ditur fare që do të garoja. Dua t’ju them që në momentin që nisën negociatat mes Palokës dhe Bardhit, unë kam qenë kundër sepse në momentin që bëhemi të gjithë kundër berishizmit, duhet të mbetemi ashtu. S’i dihet, sot je pakicë nesër shumicë. Si Meloni. Unë i shkruajta Belindit dhe i thashë, pranoje ofertën që ju është bërë nga ana jonë, sepse është për të mirën tënde. Shko dhe thuaj, doktor, është mirë të bashkëpunojmë dhe të marrim fitore. Nëse ta pranon zotëri, mua do më kesh në krah dhe me jugun do të merrem unë. Unë i kërkoj ndjesë që e përmend, por me këtë gjë dua të them se sa seriozisht e kishim ne. Përgjigjia është që nuk ndodhi, ja”, nënvizoi kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej