Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj është shprehur këtë pretenduar këtë të martë se Sali Berisha i ka marrë paratë për hapjen e fushatës te “Air Albania”, nga Erion Veliaj dhe lidhjet e tij me oligarkët.
“Dinozaurët e politikës së vjetër Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk mund të pranojnë që të ekzistojë një forcë politike jashtë kontrollit të tyre personal. Janë të tre bashkë, dhe s’ka as më të voglin dyshim për këtë. Nuk mund të vazhdojnë jetën politikë pa njëri tjetrin.
Kanë 33 vite që ndajnë interesa politike dhe financiare bashkë. Oligarkët i kanë bashkë, mediat i kanë bashkë, politikën e kanë zaptuar bashkë. Si ka mundësi që Sali Berisha dhe Ilir Meta, këta opozitarët e vërtetë nuk denoncojnë asnjë oligark të lidhur me qeverinë dhe bashkinë?!!
Ditën bëjnë sikur zihen për parime, natën ndajnë interesat financiare së bashku. Prandaj edhe fyejnë, shajnë, ulërasin, sa herë që u përmenden paratë që përdorin për fushata e interesa politike.
Ashtu siç kanë bërë me mua këto ditë, mediat dhe taboret politike të Sali Berishës, vetëm e vetëm se ngrita një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët në fakt. Ku i gjen paratë Sali Berisha për aktivitet e tij politike të kushtueshme? Pyesni Erion Velinë, oligarkët që ai përfaqëson, dhe aty do të gjeni përgjigjen se ku gjenden këto para”, u shpreh Alibeaj.
Partia Demokratike e përfaqësuar prej tij, hap këtë të martë zyrtarisht fushatën për lokalet e 14 Majit dhe njëherësh prezanton dhe Roland Bejkon, si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i komanduar i PD akuzoi Sali Berishën se ka ndërmarrë nisma të paligjshme e anti-statutore, si Kuvendi i 11 dhjetorit apo dhe zgjedhjet që u zhvilluan brenda PD. Enkelejd Alibeaj theksoi se vendimi i Bashës, për përjashtimin e ish-kryetarit nga partia ishte ende në fuqi.
“Ato që kemi thënë për Sali Berishën, i qëndrojmë. Po, i qëndrojmë vendimit të 9 shtatorit. Asnjë non-grata nuk ka vend në PD, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë. Sali Berisha ndërtoi një proces anti-statutor, mblidhi një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi”, u shpreh ndër të tjera Enkelejd Alibeaj.