Dy persona janë arrestuar nga policia e Beratit pasi hynë me automjet, në oborrin e një shkolle publike, si dhe kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë që ndërhynë për t’i larguar sepse kishin hyrë të paautorizuar.
Pas ndalimit nga efektivët, shtetasi K. K., 39 vjeç, drejtues i mjetit dhe pasagjeri E. K., 36 vjeç nuk kanë pranuar të japin dokumentet e mjetit tek efektivëve të policisë.
Pas kundërshtimit me dhunë të uniformave blu ata janë arrestuar dhe janë shoqëruar në komisariat.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
“Pas konstatimit, shërbimet e Policisë janë afruar te automjeti dhe i kanë kërkuar drejtuesit të tij, shtetasit K. K. që të paraqesë dokumentet dhe autorizimin për të qëndruar në këtë ambient të posaçëm, me qëllim kryerjen e verifikimeve. As ky shtetas dhe as pasagjeri në këtë automjet, shtetasi E. K., nuk kanë pranuar të japin dokumentet dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, për të mos kryer veprime të mëtejshme procedurale.
Për këtë shkak, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. K., 39 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, të dy banues në Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ushtrua kontroll në automjetin tip “Benz”, në të cilin nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm”, njofton policia.