Ja si Kryemadhi e hoqi qëllimisht Ahmetajn nga përgjegjësia për “Inceneratorët”, lidhja me Metën dhe dyshimet se dosjen LSI e mori nga një besnik i Edi Ramës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, prej dy javësh kryefjalë të diskursit të saj politik ka aferën e inceneratorëve, ku përveç lëshon akuza të forta në adresë të qeverisë, bashkëshortja e presidentit në ikje, Ilir Meta është shumë e informuar për këtë skandal, pasi ka në duart e saj dosjen e plotë. Gazeta “SOT” ishte e para që deklaroi pak kohë më parë se dosjen e inceneratorëve LSI-së dhe presidentit Meta ja dha një besnik i kryeministrit Edi Rama pjesë e qeverisë socialiste aktuale. Por përtej kësaj ajo që vihet re është që Kryemadhi kujdeset në mënyrë të veçantë që të heqë Arben Ahmetajn nga të gjitha përgjegjësitë. Në emisionin “Open”, gazetarja Klodiana Lala e pyeti Kryemadhin javën që shkoi nëse posedon fakte konkrete dhe dokumente që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi apo edhe vetë kryeministrin Edi Rama në këtë skemë. Mirëpo kryetarja në ikje e Lëvizjes Socialiste për Integrim zbuloi se ka prova që kryeministri përfshihet në firmosjen e inceneratorëve të Tiranës dhe të Fierit, ndërsa ka akuzuar sekretarin e Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, që me ndërhyrjen e tij direkte ka çuar përpara në shkelje të ligjit skemën e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit. “Për Arben Ahmetaj nuk ka firmë as në Elbasan dhe as Fier. Nuk e di se cili është implikimi i tij në inceneratorin e Tiranës”, deklaroi Kryemadhi.

Lidhja e Arben Ahmetajt me Ilir Metën

Por në të vërtetë ky është një mashtrim, që nuk vjen nga padia, por nga fakti se Arben Ahmetaj dhe Ilir Meta janë bashkëpunëtorë në goditjen e Ramës për çështjen e inceneratorëve. Disa javë më parë ka dalë në median “Voxneës.al”, e cila ka siguruar ekskluzivisht një dokument, ku Arben Ahmetaj është shprehur parimisht dakord për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, përmes një shkrese që i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit më 14 nëntor 2014. Shkresa që Arben Ahmetaj i ka dërguar Lefter Kokës është bërë në cilësinë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, post që e mbante në atë kohë në kabinetin “Rama 1”, kur ministër i Financave ishte Shkëlqim Cani. “Në lidhje me shkresën tuaj…për dhënien me koncesion/ppp të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë elektrike me procedurën përzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që i jepet shoqërisë “Alb-Tek” Shpk, shprehemi parimisht dakord”, shkruan Ahmetaj në përgjigjen që i kthen Lefter Kokës. Bëhet fjalë për një shkresë të datës 8 gusht 2016 kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Në përgjigje të një shkrese të Lefter Kokës, ministri i Financave në atë kohë, Arben Ahmetaj, jep miratim edhe për mbështetjen financiare për inceneratorin e Fierit. Këto janë vetëm dy nga shkresat e shumta që Arben Ahmetaj ka firmosur për inceneratorët. Ajo që e bën ndryshe nga ish-kolegu i tij Lefter Koka, është se Ahmetaj ka qenë bashkëpunëtor me Metën dhe Kryemadhin në këtë denoncim për të dëmtuar qeverinë dhe nuk ka shkuar në burg pasi dyshja presidenciale nuk e ka denoncuar.

Arben Ahmetaj, person i padëshiruar nga Edi Rama

Por kjo marrëveshje e heshtur mes tyre ka bërë që Ahmetaj të jetë ndër personat e padëshiruar nga kryeministri Rama. Thuajse të gjitha daljet e tyre sëbashku janë eliminuar, duke bërë që Rama dhe për punë që lidhen direkt me rindërtimin të ketë në krah ministren Balluku apo Ibrahimaj. Megjithatë, shkresat më lart nuk provojnë vetëm implikimin e Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve, por dhe selektivitetin e partisë së Metës për të goditur ish-bashkëpunëtorët, të cilët e braktisën dhe kaluan te Partia Socialiste. Por gjithashtu provojnë dhe mungesën e profesionalizmin të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që bën hetime vetëm nga deklaratat e LSI dhe nuk thellohet për të pasur një hetim të plotë dhe për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej