Ja skemat mafioze që kompania e kullës 58-katëshe të Zenit në mes të Tiranës ka aplikuar për të përfituar pasuri, si i korruptonte funksionarët e lartë të shtetit

Ilir Shtufi, emri i të cilit ka dalë së fundmi lidhur me kullën 58-katëshe të Berishajve pas Teatrit të Operas, është pronar ose bashkëaksioner në një numër të madh kompanish të cilat kanë fituar tendera të shumtë vitet e fundit.  Dy vitet e fundit Ilir Shtufi i ka dhënë me qira vilën Shkëlzen Berishës me një çmim simbolik. Kompanitë e Shtufit kanë përfituar shuma të konsiderueshme në tenderat e rindërtimit, tendera të tjerë, leje ndërtimi si dhe leje për parqe fotovoltaike. Por si i ka fituar këto tendera ky biznesmen që ka përfunduar në SPAK? Gazeta “SOT” ka zbardhur një pjesë tjetër të kallëzimit penal të selisë blu për skemat që ka përdorur dhe favorizimin që i ka bërë qeveria.

Kallëzimi penal i PD

“Shoqëria “Nova Construction – 2012” sh.p.k. ose “Ferro Beton & Construction CO” sh.p.k., që zotërohen, respektivisht, në 91 për qind të kuotave të kapitalit dhe 50 për qind të kuotave të kapitalit nga Ilir Shtufi, ka fituar në 16 procedura prokurimi publik, me një vlerë prej thuajse 84,000,000 EUR, dhe vetëm në dy prej këtyre rasteve, realizimi i fondit limit ka qenë nga 75 për qind deri në 82 për qind. Më konkretisht, për procedurën me objekt “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonën e re për zhvillim Valias, Blloku 3, Objektet (1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11 dhe 12) njësi banimi dhe shërbimi ne ndërtesa (pallat), njësia administrative Valias, Bashkia Kamëz”, me Autoritet Kontraktor: “Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, sipas Njoftimit të publikuar në Buletinin nr. 43, datë 24.03.2021, realizimi i fondit limit ka qenë në vlerën 75 për qind dhe për procedurën me objekt “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar”, e të njëjtit Autoritet Kontraktor, sipas njoftimit të publikuar në Buletinin nr. 123, datë 17.08.2021, ka patur realizimin e fondit limit në vlerën 82 për qind. Ndërkaq, procedurat e tjera të prokurimit publik, sikurse është trajtuar dhe në rrethanat e këtij kallëzimi penal, kanë patur një realizim të fondit limit në të paktën 100 për qind në 11 raste, dhe në 99 për qind për 3 procedurat e tjera.

Nga të gjitha rrethanat e paraqitura më sipër, krijohen dyshime të bazuara se, përkundrejt shpalljes si ofertë e suksesshme të ofertës së paraqitur nga shoqëritë e Ilir Shtufit, të cilat në këto procedura prokurimi kanë konkurruar si pjesë e Bashkimi Operatorësh, ky i fundit është përfshirë në dhënien e përfitimeve të paligjshme për zyrtarët e lartë shtetërorë, nën përgjegjësinë e të cilëve këto procedura prokurimi organizoheshin, me qëllim që shoqëria “Nova Construction – 2012” sh.p.k. të vihej në dijeni për ofertat ekonomike të shoqërive të tjera, dhe të paraqiste një vlerë më të ulët se të tjerat.

Favorizimi i Ilir Shtufit

Sipas kallëzimit penal të PD rezulton se dy raste të procedurave të prokurimit publik, megjithë diferencën e lartë ndërmjet ofertës së paraqitur nga shoqëria, në pronësi të Ilir Shtufit, dhe ofertës më të ulët, sërish është shpallur fituese oferta e shoqërisë në pronësi të Ilir Shtufit. “Për më tepër, në dy raste të procedurave të prokurimit publik, megjithë diferencën e lartë ndërmjet ofertës së paraqitur nga shoqëria, në pronësi të Ilir Shtufit, dhe ofertës më të ulët, sërish është shpallur fituese oferta e shoqërisë në pronësi të Ilir Shtufit. Kështu, sikurse është trajtuar dhe në rrethanat e këtij kallëzimi, B.O.E “Nova Construction – 2012” sh.p.k., “ANTE Group” dhe “Inerti” ka fituar procedurën e prokurimit publik me objekt: “Lotin 3: ‘Objekti: ‘Rindërtimi i objekteve arsimore Bashkia Durrës 1’. Rindërtimi i objektit me 1 – 4 kate mbi tokë dhe me 2 kat nëntokë, të shkollës 9 vjeçare + kopësht, ‘Qemal Mici’”, me Autoritet Kontraktor:

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, megjithëse diferenca me vlerën e ofertës më të ulët të paraqitur ishte 22,470,026 lekë. Në rastin tjetër, në procedurën me objekt: “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonen e re për zhvillim Fushë – Krujë, Paketa B, Objektet 7-12, njësia administrative Fushë – Krujë, Bashkia Krujë”, kjo diferencë është 42,050,145 lekë, duke formuar kështu dyshime të arsyeshme, se fitimi i këtyre kontratave publike është kryer nëpërmjet kryerjes së veprave penale, dhe më konkretisht nëpërmjet veprës penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal”, thuhet në kallëzimin e PD.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej