Presidenti amerikan, Joe Biden është prekur nga koronavirusi. Ai është izoluar në Shtëpinë e Bardhë. 79-vjeçari është plotësisht i vaksinuar, megjithatë ka shfaqur simptoma të buta. Por pse po i jepet ilaçi Paxlovid?
Nga Michelle Roberts, BBC
Ndërsa pandemia po shpaloset gjithmonë e më shumë, mjekët po kuptojnë se kush është më i rrezikuar që të preket rëndë nëse infektohet me Covid dhe për çfarë kujdesi mund të kenë nevojë.
Mosha është një faktor madhor- në përgjithësi sa më i vjetër të jeni, aq më i lartë është rreziku- si dhe sa në formë dhe të shëndetshëm keni qenë më parë.
Mjekët do jenë të vetëdijshëm se mosha 79-vjeçare e vendos zotin Biden në një rrezik shtesë, edhe pse ai është plotësisht i vaksinuar- që do të thotë se ai tashmë ka një mbrojtje të mirë kundër formave të rënda të Covid-it.
Ata zakonisht e japin ilaçin Paxlovid vetëm për ata që kanë një shans më të lartë për t’u sëmurë jashtëzakonisht rëndë.
Por ai është presidenti tek e fundit, kështu që normalisht do të marrë ‘Rolls Royce-n’ e kujdesit shëndetësor.
Paxlovid është një ilaç antiviral që ndihmon në ndalimin e shumëzimit të virusit Covid në trup. Kjo i mban nivelet e virusit në trup të ulëta, ndërkohë që sistemi imunitar vazhdon me detyrën e luftimit të infeksionit.
Në fakt është një kurë me dy trajtime ose tableta. Pacienti merr zakonisht pilulat- një tabletë ritonavir dhe dy nirmatrelvir- dy herë në ditë, për pesë ditë.