Jorida Tabaku: Shumë më shajnë por unë do flas: Duhet një PD pa Sali Berishën, me protesta s’e rrëzojmë Edi Ramën

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me protestën e mbajtur më 7 korrik të thirrur nga Sali Berisha, ku i është edhe përgjigjur edhe komenteve të cilët nuk e kishin mirëpritur pjesëmarrjen e saj.

Me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Tabaku shkruan  se protestat duhen, teksa thotë se vendit duhet një ofertë e re me emrin PD pa Sali Berishën.

“Po të mbysin!  “Po të mbysin në fb”, më shkruajti një i afërm pasi postova shënimin për protestën e të enjtes. Sa të këqia i paske komentet, qe mesazhi i një miku tjetër. Mora disa të tilla, siç mora edhe disa krejt ndryshe nga miq demokratë që ndanin të njëjtin shqetësim. Njësoj si unë edhe ata kishin qenë në protestë.  Pata edhe debate me ndonjë që s’kuptonte dot pse kisha shkuar në protestë.

Më pas i lexova një e nga një komentet. Siç bëj gjithnjë, megjithëse qëkur partia u përça si s’ka më keq leximi i tyre është bërë i dhimbshëm. Do të ishte gjysma e së keqes sikur gjithë ato të shara të vlenin për të sjellë demokratët në pushtet. Por nuk vlejnë për asgjë. Prandaj nuk mund të mbyll gojën dhe bëj sehir duke parë të njëjtin film me të njëjtin fund.

Sot disa ekzaltohen njësoj si disa të tjerë më parë, përfshirë edhe mua, duke numëruar pjesëmarrësit në uragane fitoresh që në fund nuk vijnë. Më shkruanin edhe se duhet thjesht të protestoja dhe mbyllja gojën! Po sfida jonë është që ta hapin gojën të gjithë shqiptarët, jo që ne t’ia mbyllim njëri-tjetrit.

Disa të tjerë ankoheshin se 8 vjet i paskam lënë unë në opozitë dhe të enjten qenka hapur rruga drejt pushtetit! Do ta uroja shumë të ishte kështu, po të besosh këtë do të thotë të besosh se shumica e shqiptarëve e beson këtë.

Ky ka qenë gabimi ynë 8 vjet. I të gjithëve bashkë. Kemi ngatërruar dëshirën tonë të përbashkët me shumicën për të larguar Edi Ramën, me besimin e shumicës së shqiptarëve tek alternativa e Partisë Demokratike.

Protestat duhen dhe shumë mirë që t’i bëjmë. Po halli është se këtë ngatërresën që thashë mes nesh dhe shqiptarëve, protestat nuk e zgjidhin dhe do të jetë tejet e hidhur sikur e shkuara të përsëritet.

Prandaj nuk ndryshoj mendim: Duhet një shpresë e re që ndërtohet me një mendësi ndryshe, përmes një mënyrë ndryshe të të parit dhe të bërit të gjërave! Një ofertë e re me emrin Partia Demokratike! Një PD moderne, e fortë dhe e bashkuar patjetër, po mbi të gjjtha e hapur, jo e izoluar. Pa frikë për ta thënë mendimin ndryshe, për vepruar ndryshe dhe për të qenë ndryshe” thotë Tabaku.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej