“Kemi 4 fëmijë, s’kemi për të ngrënë”, Prokuroria kërkon burg për çiftin që grabiti një copë sallam

Me djathë e sallam në xhep që i vodhi në frigoriferin e një dyqani, L. Xh. ja kërkoi faljen e parë administratorit duke ju përgjëruar: ‘të kërkoj falje për gjërat që të kam vjedhur’.

Faljen e dytë ja kërkoi policisë, kur oficerët e departamentit për parandalimin dhe hetimin e krimeve nisën të mbajnë procesverbale për hajdutin e ‘kafshatës ‘. Shkresat tregojnë se hajduti i një cope djathë e së bashku me të dhe të një cope sallami u kap në flagrancë.

‘Është e vërtetë, unë i vodha një pako djathë dhe një shufër sallami. Por unë vodha sepse isha i uritur. Madje e kam bërë këtë gjë dhe dy herë të tjera. Dhe sërisht e kam bërë i shtyrë nga uria’- thotë i dyshuari.

Ajo që ndodh më pas , edhe pse vlera e produkteve u llogarit as 1 mijë lekë të reja, ishte kërkesa e prokurorisë për ta shpallur fajtor. Gjykata e Tiranës tha ‘jo’ duke refuzuar provat e prokurorisë dhe policisë gjithsej 10 veprime të tilla të përpikta hetimore që nga kallëzimi, dhe një seri procesverbalesh të kapjes në flagrancë, këqyrje kamerash sigurie kur burri fut ushqimet në xhep dhe kështu me radhë.
Ai u shpall i pafajshëm nga gjykata dhe në çastin që doli, drejtoi duart nga qielli.

Rasti i dytë i ndjekur nga Qendra ‘FOL’, në të njëjtën gjykatë është sërish një vendim pafajësie, që lidhet me kushtet ekstreme të varfërisë që shtyu për të vjedhur çiftin Shaqir dhe Nexhmie Hasa. Janë prindër të katër fëmijëve të mitur. Të papunë. Vendimi numër 2335 e thotë këtë gjë.

Çfarë grabitën ata? Dy prindërit hynë njëri pas tjetrit në dyqan dhe marrin prej andej duke vendosur në xhepa ‘një top gjalp që kushtonte 335 lekë, një fileto pule 239 lekë, një gotë kos 380 gramë 320 lekë, një djath kaçkavall 435 lekë dhe një majonezë 205 lekë’.

I futën nëpër rroba dhe krejt hapur, pa u fshehur kërkuan të largohen. Vlera e mallrave ushqimore të mësipërm sipas akt ekspertizës u llogarit 1345 lekë të reja.

‘Kemi të ardhura vetëm një pension invaliditeti . Kemi katër fëmijë të vegjël dhe duhet ti ushqenim, nuk dinim çfarë tu jepnim për të ngrënë’, pohuan në komisariat, secili nga të dyshuarit e kapur në flagrancë. Ata u dorëzuan nga prokuroria si të pandehur dhe gjykata edhe në këtë rast kujton kushtet e mbijetesës.

‘Në rastin konkret, gjykata konstaton se nga të pandehurit janë marrë një sasi e papërfillshme artikujsh ushqimore, nga njerëz ekstremisht të varfër. Ata kanë vjedhur për fëmijët e tyre të mitur në kushtet e nevojës ekstreme, pasi nga pamundësia për të blerë ushqime të domosdoshme për të vegjlit e tyre, rrezikohej seriozisht jeta dhe shëndeti i tyre. Dëm i cili është shumë herë më i madh se sa vlera e dëmit të shkaktuar pronarëve të marketit, prej 1345 lekë’, deklaron gjyqtari në vendim.

Çifti i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës jeton në rrugën ‘3 Dëshmorët’, Tiranë dhe siç bëhet me dije prokuroria e kryeqytetit e ka apeluar vendimin.(Qendra FOL)

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej