Një grabitje e ngjashme me ato të serialeve televizive ngjau ajo e 9 Majti në një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Koplikut. Asgjë duket se nuk ka qënë rastësore, por madje e planifikuar kohë më parë nga autorët e saj. Rreth 2 muaj para se të ndodhte ngjarja, 22-vjeçari Bekim Gurraj vodhi makinën Golf 3 të një peshkatari në liqenin e Shkodrës. Ai e kishte futur makinën kontrabandë nga Mali i Zi dhe e mbante të paregjistruar vetëm për peshkim.
I riu ishte në dijeni të kësaj gjëje dhe ia grabiti, më pas i ndërroi ngjyrën dhe e mbajti të parkuar në fshatin Aliaj të Malësisë së Madhe, por larg banesës së tij. Vetëm 4 ditë para grabitjes, më 5 maj, Gurraj shkoi me makinë para bankës dhe krijoi një situatë. Ai bëri sikur makina i ishte prishur dhe vëzhgoi lëvizjet jashtë bankës. Të nesërmen u vesh si efektiv policie dhe bëri të njëjtin veprim po përpara filialit të bankës. Ndërsa më 9 maj, u hodh në veprim së bashku me djemtë e dajës së tij Admir e Armir Shabaj. Të veshur me maskën e filmit ‘Scream’, të tre u futën në mesditë në bankë, vetëm një orë para se të mbyllej turni. Gurraj mblodhi punonjësit e mbajti peng pranë derës teksa u drejtonte kallashnikovin, ndërsa dy vëllezërit mbushën çantat me para.
Brenda pak minutave, ata dalin nga banka me 10 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe 400 mijë lekë të reja. Pasi arrijnë të ikin me mjetin tip Golf, në kryqëzimin që ndan Koplikun me Bajzën e djegin këtë mjet dhe nën kërcënimin e armës i marrin Benz-in një kalimtari. E tashmë që ndodhen në pranga dhe pritet të dalin në gjyq, autorët e arrestuar kanë treguar përpara oficerëve të policisë gjyqësore se paratë e grabitura i shpenzuan në jetën e natës, në klube dhe restorante. Policia dhe prokuroria ranë në gjurmët e tyre përmes kçyrjes së kamerave të sigurisë së bankës dhe verifikimit të imtësishëm të çdo lëvizje përpara ngjarjes.