Korrupsioni me skemat e AZHBR “i prenë kokën” Frida Krifcës, BE përfundon hetimet për fondet e IPARD II

Zyra e shtypit të OLAF (Zyra Europiane kundër mashtrimit Ekonomik) i tha Report Tv, se procesi i hetimit të fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020, sapo ka përfunduar.

Në muajin korrik të këtij viti, Komisioni Evropian pezulloi përkohësisht pagesat nga programi për Shqipërinë në pritje të gjetjeve përfundimtare të OLAF, ndërsa pas kërkesës së drejtuar zyrave qendrore të institucionit të lartë në BE, zëdhënësja e shtypit në Komisionin Europian, Victoria Hansson Malmlof, bën me dije si vijon:

“Si rezultat i përfundimit të hetimit, OLAF tani ua ka transmetuar raportin përfundimtar dhe rekomandimet e saj autoriteteve kompetente përkatëse.”

Por çfarë masash konkrete do të merren mbi këtë çështje dhe sa do të ndikojë kjo në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian?

“Për të respektuar konfidencialitetin e hetimit, të çdo procedimi të mundshëm pasues, të të drejtave procedurale dhe të dhënave personale, OLAF nuk është në një pozicion për të komentuar më tej në këtë fazë.”

Në korrik, Ministria e Bujqësisë pranoi se kishin nisur hetimet, por i konsideroi si procedurë normale. Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.

Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi IPARD II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.

Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.

Në Asamblenë e PS, Rama largoi ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, atë të Bujqësisë, Frida Krifca dhe ministren e Arsimit, Evis Kushi, ndërsa përsëriti premtimin se ai nuk do të mbrojë asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.

Frida Krifca iku nga Bujqësia pak muaj pasi Bashkimi Europian njoftoi pezullimin e fondeve IPARD në bazë të dyshimeve për korrupsion nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, e drejtuar më parë prej saj.

Në vend të Krifcës, Rama rikthen në kabinet deputeten Anila Denaj, që më herët ka drejtuar ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej