Spërdredhjet klienteliste të SPAK prej 3 vitesh e gjysmë, me paprekshmëri të shtetarëve e politikanëve të lartë, bllokim e zvarritje të qëllimshme të dosjeve të tyre, dhe me justifikime se gjoja nuk kanë prova e staf, ka detyruar SHBA-BE ta marrin vetë në dorë, procesin e hetimit për “peshkaqenët” e politikës.
Pas një testi profesional verifikimi dhe skanimi të integritetit e profilit personal, FBI dhe EUROJUST përzgjodhën 10 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët i trajnuan 1 muaj në bazën e tyre të përbashkët në Gjermani e i rikthyen në Shqipëri.
Ky grup agjentësh të seksionit hetimor ekonomik, financiar e pasuror në Byronë Kombëtare të Hetimit, janë specializuar si strukturë e veçantë bashkëvepruese me FBI e EUROJUST brenda BKH, të cilët do orientohen vetëm prej tyre, pas marrjes së detyrave nga prokurorët e SPAK.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, është porositur dhe urdhëruar nga partnerët e SHBA-BE, që 10 agjentët e strukturës speciale hetimore të BKH, të mos ngarkohen me dosje rutinë ryshfetesh e abuzimesh me tenderë, por vetëm me dosje zyrtarësh e ish-zyrtarësh të lartë të shtetit, sipas praktikës e modelit kroat.
Sipas trajnimit dhe detyrës së ngarkuar, ata do hetojnë pasuritë e nivelit President, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, ministra, deputetë, drejtues të lartë drejtësie, policie e agjencive dhe institucioneve të tjera kushtetuese, të harkut kohor nga 1 janari 2000 e deri sot.
Nuk mund të thuhet, se janë të gjithë hajdutë e përfitues asetesh nga bota e krimit, por FBI dhe EUROJUST kanë evidentuar ata që janë të përfshirë në përfitime kriminale, ndërsa emrat, indiciet dhe provat që kanë grumbulluar, do t’ia japin për hetim 10 agjentëve që trajnuan.
Çdo veprim do bëhet duke bashkëpunuar me SPAK, por pa e lejuar Altin Dumanin dhe 4 shefat e sektorëve, të ndikojnë, diktojnë e bëjnë seleksionime, cenim provash, bllokime e shtyrje afatesh në hetimin e dosjeve, mbasi çdo dosje e proces hetimi do mbikëqyret nga dy strukturat qendrore anti-krim të SHBA-BE deri kur të çohet për gjykim.
Këta agjentë, të pagëzuar “Grushti i Hekurt”, përveç trajnimit special që kanë bërë nga FBI dhe EUROJUST, janë pajisur me nga 1 “katalog” të Thesarit Amerikan të Shtetit, që është dokument bazë orientues, për përcaktimin e pasurive të paligjshme të zyrtarëve të lartë.
Detyra e tyre, do fillojë me 30 dosjet e para pasurore të zyrtarëve të lartë në nivel kryeministrash, presidentësh, ministrash, drejtuesish të lartë policie e drejtësie që kanë edhe pasi jashtë Shqipërisë, të cilët janë skeduar nga agjencitë të SHBA-BE dhe do hetohen bashkë me agjentët e skuadrës “Grushti i Hekurt” në BKH.
Sipas informacioneve, FBI po rekruton dhe do trajnojë shumë shpejt, edhe 40 agjentë të tjerë, që do t’i bashkohen 10 të trajnuarve, me synimin për të krijuar një strukturë krejt të pavarur nga SPAK e BKH, por bashkëpunues me ta në gjurmimin dhe hetimin e pasurive të “peshkaqenëve” të paprekshëm të politikës në Shqipëri./Pamfleti