Një sërë sëmundjesh që prekin kafshët po qarkullojnë në këtë periudhë në vendin tonë, një pjesë e të cilave me rrisk të lartë edhe në jetën e qytetarëve që konsumojnë mishin e tyre.
Megjithëse situata paraqitet problematike, në qarkun e Shkodrës mungojnë kontrollet ditore dhe fermerët janë të painformuar mbi numrin e lartë të sëmundjeve dhe trajtimin e tyre, një copë çertifikate fitosanitare i duhet për fund. Në asnjë prej tregjeve publike apo private nuk ushtrohen kontrolle ditore, për të mos folur pastaj për fermat e shtrira në të gjithë territorin e gjërë të bashkive të qarkut.
Ato stabilimente që duan garancinë e produkteve që shesin duket se e kanë zgjidhur tashmë situatën sa i përket kontrolleve dhe marrjen e firmave. Mjafton të gjesh “mirëkuptimin” me titullarët e drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Shkodër dhe çdo gjë është e zgjidhur.
Veprimet dhe mosveprimet e Andi Bilalit duket se kanë nga pas edhe mbështetjen e ministres Frida Krifca e cila ka zgjedhur të pajtohet me këtë realitet aspak dinjitoz.
Veprime të tilla dhe neglizhenca në ushtrimin e detyrës mund të jenë fatale për qytetarët shkodranë dhe ato shqiptarë.
Sikur të mos mjaftonte kaq, kjo drejtori ka lënë jashtë sitës së kontrolleve fermat e mëdha që në prodhimet bujqësore abuzojnë ndjeshëm me përdorimin e pesticideve, që në masë po bëhen burim i sëmundjeve kancerogjene.
Prodhime bujqësore që dalin në treg pa asnjë kontroll mbi sasinë e përdorimit të këtyre lëndëve i gjen kudo, qoftë në pikat e pakicës e qoftë në ato të shumicës. Kontrollet fiktive fitosanitare që shërbejnë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të bimëve dhe për të përcaktuar masat fitosanitare parandaluese dhe luftuese në përhapjen e dëmtuesve, duket se janë modeli i punës së titullarit Andi Bilali dhe vartësve të tij.
Sot në territorin e bashkive të qarkut Shkodër situata është tërësisht jashtë kontrolli dhe kjo drejtori është inekzistente në punën e saj./ShkodraNews