Familja e biznesmenit të vrarë Ardian Nikulaj, ka hequr dorë nga gjakmarrja, duke ia lënë në dorë drejtësisë vrasjen e familjarit të tyre.
Persona të afërt të tyre kanë deklaruar se familja Nikulaj ka nxjerrë nga ngujimi të afërmit e Edmond Haxhisë, të cilët pas përfshirjes së tij në këtë ngjarje u ngujuan.
Ky vendim i familjes së viktimës vjen pak ditë pas zbardhjes së ngjarjes nga Policia e Lezhës, gjithashtu dhe bashkëpunimi me shtetin anglez dhe arrestimin e shpejtë të Edmond Haxhisë, si dhe tre bashkëpunëtorëve të tij.
Kujtojmë se Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri nga autori portugez më 19 prill, brenda lokalit të tij në Shëngjin dhe më pas u arratis me motor drejt Lezhës. Për këtë ngjarje deri më tani janë arrestuar porositësi, Edmond Haxhia, dy bashkëpunëtorët britanikë Steven Hunt dhe Thomas Mathin dhe britanikja Harriet Bridgeman. Autori portugez Ruben Saraiva, ndodhet ende në arrati.