Përfshirja në skandalin “McGonigal” duket se do t’i hapë shumë punë, madje telashe me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më Shqipëri kryeministrit Edi Rama. Ndonëse ky i fundit ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Amerikë për Charles McGonigal, sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë ish-agjenti i FBI McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme. Po çfarë po ndodh me gjyqin “McGonigal” në SHBA? Po në Shqipëri autoritetet kanë nisur hetime për të parin e qeverisë shqiptare dhe emrat e lakuar në këtë megaskandal? Për të mësuar më shumë rreth kësaj “dosje të nxehtë”, gazeta “SOT”, bisedoi me drejtorin e televizionit “Fokus TV” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëherësh gazetar i njohur Robert Papa.
“Unë fillimisht po ju vë në dispozicion një foto ekskluzive të Charles McGonigal, të cilin e kam filmuar në metro në New York javën që shkoi, ndërsa ra në sy fati që autoritetet i kishin vendosur edhe një byzylyk survejimi për t’i monitoruar lëvizjet nga frika e një largim jashtë New Yorkut. Ndërkohë di të them që për Ramën vazhdojnë hetimit këtu”, deklaroi fillimisht Papa. Më tej gazetari i njohur, Robert Papa ka zbardhur një bisede që ka zhvilluar për Fokus TV me gazetarin e njohur të “Mother Jones”, Dan Friedman, i cili ka deklaruar se ende është e paqartë se sa thellë është implikuar Rama në këtë çështje. Sipas tij, padia merret shumë me oligarkun rus, por puna që lidhet me Shqipërinë kur ai ishte në FBI, është më e keqe. “Kam pasur një bisedë me gazetarin Dan Friedman dhe më ka treguar se ku qëndron çështja e McGonigal në Uashington dhe në 9 maj mund të ketë seancë gjyqësore ku do të thirret i padituri. Në Shqipëri merren shumë me McGonigal dhe se di se nga i marrin informacionet se janë sekuestruar pronat dhe shtëpitë, nëse ka gjyq do të jetë seancat e gjata dhe shpenzimet shumë të mëdha. Hetimet vazhdojnë dhe kjo është diçka që ndodh para se të zhvillohet një gjyq, ne presim që të kemi gjyqin në Washington. Ose do ketë marrëveshje ose do kemi gjyq, kjo na ndihmon neve gazetarëve se do dalin shumë informacione”, nënvizoi gazetari Papa.
Reagon dhe ish- prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi
Ndërkohë sa i takon aferës “McGonigal” ka folur edhe ish-prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi. Ky i fundit teksa ishte i ftuara këtë fundjavë në një studio televizive, u shpreh se është i sigurt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një letërporosi në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për çështjen “McGonigal”. Sipas ish-prokurorit SPAK duhet ta ketë nisur patjetër një hetim për këtë çështje, pasi siç theksoi ai, nga SHBA ka ardhur një dokument zyrtar ku konfirmohen fakte penale të realizuara në Shqipëri.“Akuza e jurisë së madhe të shtetit të Kolumbias. Pra kemi një dokument zyrtar të autoritetit zyrtar të autoritetit gjyqësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë dokument zyrtar konfirmohet fakti, apo ka fakte penale të kryera në territorin e Shqipërisë të cilat cenojnë interesin e shtetit shqiptar. Në këtë moment, në gjykimin tim, prokuroria, SPAK duhet të kishte regjistruar procedimin penal. Unë jam i sigurt që prokuroria e ka regjistruar procedimin penal. Jam i sigurt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dërguar një letërporosi. Në gjykimin tim profesional është e pamundur të mos ketë filluar hetimi”, deklaroi ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi.