Grykësia e mafies së instaluar deri në kulmet më të larta qeveritare nuk ngopet. Pasi zaptoi çdo centimetër shesh nëpër Tiranë, pasi vuri firmën për përbindëshat në qendër të kryeqytetit dhe pasi zhduku çdo gjurmë historie me shembjen e godinave të vjetra, Edi Rama po i jep dorën e fundit operacionit të shkatërrimit të ekzistencës së shqiptarëve në vendin e tyre. Ministria e konkubinës së preferuar të tij, ka përgatitur një Vendim që pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit të gjitha godinat mbi 50 vjeçare që do të rezultojnë të pabanueshme, do të shemben dhe mbi to do të ndërtohen të reja.
Parë me syrin e padjallëzuar dhe sikur të ishim një vend normal, kjo do të ishte një masë paraprake e qeverisë për të mbrojtur qytetarët e vet. Sa mirë sikur të ishte kështu! Por nëse i shkon vetëm pak më thellë, parë më syrin e të vërtetës që ndodh në Shqipëri dhe sidomos me precedentët e krijuar pas tërmetit te 2019, ku shumë godina të shëndeteshme (sidomos në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë), u shëmbën nën pretekstin e dëmtimit për tua marrë truallin firmat më të dyshimta të ndërtimit në Shqipëri, kjo puna e VKM që pritet të miratohet së shpejti qelbet erë.
Për më tepër që nuk është vetëm kaq “kleçka” e kësaj “prerjes së barkut” që ka kapur qeverinë për të mbrojtur qytetarët shqiptarë.
Expertët e ndërtimit, ata që ushqehen me nder në këtë treg, e dinë shumë mirë si qëndron e vërteta, edhe pse askujt nuk ia mban të dalë hapur e të flasë, duke iu kundërvënë kështu mafies së ndërtimit. Në raste të tilla të ikën koka dhe kjo është e kuptueshme.
Pra, kjo puna e VKM që Edi Rama është bërë gati ta firmosë, është shumë më e thellë se kaq dhe ka nisur vite më parë, kur skifterët mafiozë të ndërtimit kanë filluar t’i vijnë rrotull godinave 2-3 katëshe (vërtet) të vjetra që ngrihen në zonën e Tiranës së re apo zona të lakmuara të tjera në kryqytet.
Këto banesa, që banorët i kanë bërë pronë të tyre pas viteve 90- të, edhe pse të amortizuara, tërmeti i 2019 nuk i shembi. Ndërtuesit nuk i kanë gllabëruar dot, sepse në bazë të së drejtës së pronës, ata duhet të merren vesh me pronarët që banojnë aktualisht aty dhe kanë dokumentet e pronësisë, të cilët në këmbim të pronave të tyre me pallate shumëkatëshe, kërkojnë natyrshëm përqindjen që u takon nga ndërtimi. Por mafia e ndërtimit e instaluar me bekimin e Edi Ramës është bërë e babëzitur dhe e do çdo centimeter për vete.
Pazari i pronarëve është i lartë ndërkohë që sipërfaqja e ndërtimit zvogëlohet çdo ditë. Prandaj, në mungesë të sipërfaqeve të lira të tokës (ato që kishin mbetur u dhanë nga Erion Veliaj kundrejt shumave stratosferike), pak më shumë se një vit më parë, nisi eksperimentimi i tregut më një formulë të re: Tom Doshi, një prej hajdutëve më të mëdhenj të pronave në Shqipëri, i njohur për marrjen e tokave nga pronarët e ligjshëm me forcën e armëve, e nisi këtë operacion në hapsirën mes kryqëzimit të rrugës së Don Boskos dhe shkollës së mesme profesionale “Harry Fultz”. Pasi gllabëroi një sipërfaqe të majme me shtëpi qerpiçi dhe godina kryesisht informale, i pangopuri Tomë, i hyri edhe dy pallateve 5- katësh, të ndërtuar gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, (krejtësisht në gjendje të mirë dhe të banueshëm) dhe i bëri hi. Në këtë rast, Toma u mor vesh me pronarët dhe tani kullat e reja mbi to, janë në ndërtim e sipër, por formula e zgjedhur nga Toma zhvilloi idenë e gjetjes së një mënyre (në këtë rast VKM-je) për të gllabëruar me pak kosto ose krejt lirë, godina të tjera të ngjashme që janë pjesë e urbanistikës së Tiranës.
Dhe ja ku jemi! Edi Rama do të firmosë VKM, sipas së cilës godinat mbi 50 vjeçare, që nga auditet e subjekteve private do të vlerësohen që nuk përmbushin kushtet teknike, do të shemben.
Pra, në një vend ku ndërtimet janë bërë pa kontroll, pa pikën e kriterit e katet pa leje shtohen si me magji, në një vend ku ende vdesin njerëz nëpër ashensorë kurrë të kolauduar e askush nuk mban përgjegjësi, ku shkallët e emergjencës janë film fantastiko- shkencor e ku kontrollet për ndërtimet, për cilësinë e materialeve që përdoren në këtë ndërtime, për hekurin radioaktiv të shitur me tonelata, krejt papritur Qeveria vendos të vërë dorën në zemër e të shohë nëse godinat e vjetra, bëjnë apo jo.
VKM është gati dhe mbetet vetëm firma, ama, siç mund të merret lehtë me mend, kjo letër bakalli vetëm sa do t’i hapë rrugë abuzimeve dhe do të përzërë nga prona e tyre e ligjshme edhe ata shqiptare që ende jetojnë në këtë vend. Sepse VKM nuk përcakton se çfarë do të bëhet dhe si do të trajtohet trualli i këtyre godinave; si do ta trajtojnë pronarët e banesave që jetojnë në to; si do të kompensohen ata; kush do t’i ndërtojë këto pallatet e reja, me çfarë kostoje dhe me çfarë shpërblimi për ndërtuesit? Kjo qeveria që, krejt pa pritur, ka filluar të mendojë për sigurinë tonë, pse nuk prarashikon të inspektojë edhe urat, digat mbajtëse apo rrugët që ka ndërtuar vetë pa pikën e rregullave dhe që çdo ditë hanë jetë njerëzish?
Sa larg mendon të shkojë kjo qeveri?
P. S. Precedentët historikë thonë se diçka e tillë ka ndodhur vetëm në Moskë, Rusi, në vitin 2017. Asokohe qeveria vendosi të shembte godinat e ndërtuara në kohën e Hrushovit dhe në vend të tyre të ndërtonte kulla. Por edhe Moska ishte më e ndershme në këtë vendim. Nuk u fsheh pas “sigurisë së ndërtesave”, siç po bën Kryeministri ynë burracak. Qeveria ruse mori një vendim “për të ndërtuar kulla” dhe pikë.
Mafia, mafias i ngjan, diktatura, diktaturës gjithashtu. Tani, përfundimet nxirrini vetë./Pamfleti