Maskarada që po amniston kullat e oligarkëve

Ka një mënyrë shumë efikase për të ndarë propagandën nga realiteti. Bëj pyetjet e thjeshta. Dhe pyetja e thjeshtë që duhet bërë sot është: pse në Shqipëri disa njerëz hyjnë në burg për ndërtim pa leje, ndërsa disa të tjerë as nuk përballen fare me procedimin penal?

Arsyeja është korrupsioni. Kur një vend qeveriset nga korrupsioni ligji përthyhet sipas dëshirave të korruptuesve dhe atyre që korruptohen. Përdhunshëm, në sytë e të gjithëve. Dhe që publiku të përgjumet përballë padrejtësisë, duhet propaganda.

Aksioni i zhurmshëm i qeverisë kundër ndërtimeve pa leje është në fakt një teatër i pështirë, që ka vetëm një qëllim. Të amnistojë korruptuesit që kanë ndërtuar pa leje në mes të Tiranës nga ligji. Sepse ligji thotë që këta duhet të shkojnë në burg.

Në Kodin Penal është e sanksionuar se ndërtimet pa leje me qëllime fitimi dënohen gjer në 8 vite burg. Pra sipas kodit, Armand Lilo, Juljan Morina, Pëllumb Salillari dhe gjithë të tjerët që kanë ngritur përbindësha betoni pa leje në mes të Tiranës duhet të ndiqen penalisht.

Por shteti po i amniston nga dënimi penal në këmbim të disa parave. Kjo është njësoj sikur qeveria të shkojë tek vrasësit dhe t’i thojë: paguaj shpenzimet e funeralit të viktimës që ke vrarë, ndryshe do kesh punë me shtetin.

Ato ndërtime kanë kohë që tentohen të legalizohen. Por zyrtarët e thjeshtë të shtetit kanë ngurruar të firmosin nga frika. Pra korruptuesit kishin rënë në hall. Ndaj duhej një zgjidhje. Dhe zgjidhja u gjet.

Është teatri që qytetarët po shohin tre ditët e fundit, me regjisor kryeministrin dhe aktorë në role kryesore Belinda Balluku dhe Blendi Çuçi. Këta dalin para kamerave me sfond pallatet dhe hotelet pa leje të oligarkëve, si shtetarë të egër, që nuk bëjnë dallime përpara ligjit. Por në fakt janë duke bërë pikërisht atë.

Dhe shikoni pasojën. Gëzim Xhepexhiu është një qytetar që ndërtoi një bujtinë pa leje afër llixhave të Elbasanit. Gjykata e dënoi me 16 muaj heqje lirie në burgun e Rrogozhinës. Si ai ka me qindra të tjerë që u janë përplasur hekurat se kanë ndërtuar kasolle, mure ndarëse apo edhe shtëpi për të banuar në tokat e tyre.

Nga burgjet ku po vuajnë dënimet, të gjithë këtyre u ka mbetur vetëm një gjë. Të dëshmojnë aparteidin që po u dikton dhunshëm shteti i tyre dhe të shohin se si ligji shkërdhehet nga puthja e ëmbël e kryeministrit në tullën e Salillarit, fotot e tij me Lul Morinën apo lidhjet e Fatmir Xhafës me Armand Lilon.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej