Me kë do të drejtojë Edi Rama? Më shumë zyrtarë ka në burg se në Kabinet

‘Tigri’ i famshëm i qeverisë nuk është aspak në ditë të mira. I shkarkuar nga postet, nga pushteti politik dhe qeveritar, Arben Ahmetaj në çdo shfaqje publike merr gjithnjë e më shumë pamjen e njeriut të prerë në besë nga njerëzit e afërt. Pasi e përdori për të kryer punët e veta, Edi Rama, me formulën “ku di unë ça bëj unë dhe ku di unë ça bëjnë ata”, Arben Ahmetajn e ka hedhur në fushën e lojës, duke i dhënë dorë të lirë hijenave ta shqyejnë. E ashtëquajtura Drejtësi e Re po bën sikur heton, dhe sido që të jetë fundi, është e qartë si drita e diellit që, për skandalin e inceneratorëve dhe jo vetëm, Arben Ahmetaj do ta ketë keq punën.

Tigri nuk është as i pari dhe duket se nuk do të jetë as i fundit. Në radhë të afërt me të është edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka që, me gjithë cirqet që bëri me avokat dhe pa avokat për t’i shpëtuar përgjegjësisë si “gruaja e burrit investitor strategjik”, aktualisht është vënë me ‘shpatulla pas murit’ për tjetërsim dhe privatizim, si në trojet e babait, të pronave të ushtrisë. Ndoshta deri tani Xhaçkën e ka shpëtuar “investitori strategjik” dhe milionat e kufomave të fëmijëve të varrosur nga e ëma që në fillim të viteve 90-të, por kjo çështja e pronave mban kaq shumë erë të qelbur, sa forca e kartonëve të opozitës dhe imuniteti i deputetit zor se mund ta shpëtojnë.

Me gjithë propagandën dhe lojën e fjalëve që e preferon aq shumë, Edi Rama nuk mundet ta ndryshojë këtë të vërtetë të qeverisjes së tij: pas 10 vjetësh në pushtet ai ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa përkrah në qeverisje. Dhe kjo, ndryshe nga sa pretendon Kryeministri, nuk ka lidhje fare me funksionimin e pushtetit ligjor dhe as me drejtësinë, qoftë kjo e reja apo e vjetra. Këto të fundit, i ka marrë lumi me kohë dhe pushteti i Edi Ramës vetëm sa i varrosi edhe më thellë nga sa ishin.

Të gjitha skandalet e viteve të fundit, janë dëshmitaret më kokëforta dhe të pakundërshtueshme të një qeverie të korruptuar deri në fyt, që ka mbledhur e shpërndarë kaq shumë llum, sa tani po i del nga hundët.

Edi Rama është rrethuar nga kriminelë, nga njerëz të korruptuar, nga hajdutë që pasi i përdor si do, i çon në burg.

Për t’ua vërtetuar, do t’ju kujtojmë një listë, thellësisht të ngushtë të ish bashkëpunëtorëve të Kryeministrit tonë të lavdishëm që sot janë në burg.

Po e nisim nga fundi:

Lefter Alla, kryetari i bashkisë se Bulqizës, e firmosi edhe tenderin e fundit prej 860 mijë dollarësh përpara se të nisej për SPAK. Fondi i siguruar nga Islamic Relief Albania, teorikisht do të shkojë për ujësjellës- kanalizime të disa fshatrave të Bulqizës, por duke ditur namin e Kryetarit që “thith miell” ditën për diell e bën cubin në krahinën e vet si i forti i Ramës, mund të merret me mend fati i tufës së fundit të dollarëve. Lefter Alla është kryetari i fundit që u këput nga pema e pushtetit (nëse Rama për ca arsye kërcënimesh nuk do të detyrohet ta mbajë ende në tavë).

Në vazhdën e kryetarëve të bashkive, kontigjent kriminalë të përzgjedhur personalisht nga Rama në kohë fushatash, kur Kryeministri tmerrohej nga ideja e humbjes së pushtetit, mund të përmenden disa “fiq të këputur nga pema”.

Fatos Tushe i Lushnjes është rikthyer në burg, Shkuri Xhelili, kryetari i famshëm i brekëve të grisura të Dibrës nuk arriti ta gëzonte pushtetin prej veseve dhe imoralitetit, Elvis Roshi i famshëm i Kavajës që bënte si cub edhe këtu në Tiranë, doli se ishte një kriminel ordiner dhe u zhduk nga faqja e pushtetit. Ndërsa Artur Bushi i Krujës është afër litarit, prej trafiqeve dhe drogës që pret e përcjell nga Shqipëria.

Pak kohë pas skandalit të bashkive, Lefter Koka, hyri në burg, si ish ministri që kishte firmosur për inceneratorin e Elbasanit dhe çdo deklaratë e tij vërtetonte marrëveshjen mes tij dhe Ramës për ta pranuar këtë si fat mes ish bashkëpunëtorësh të ngushtë. Bashkë me të shkoi edhe Alqi Ballko, por ish sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit u tregua më i mençur: çoi sinjale që nëse nuk e trajtonin mirë dhe e nxirrnin nga qelia do të bilbiloste ato që dinte dhe informacioni që posedon një person në atë pozicion është i rrezikshëm për çdo anëtar qeverie. Për të qëndruar në të njëjtat niveli nuk ka shumë kohë që një tjetër Sekretar i Përgjithshëm, kësaj here i Financave, Arlind Gjokutaj shkoi para drejtësisë bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë që kishin zhvatur para publike. Ndërs Saimir Tahiri, ish ministri i lavdishëm i Edi Ramës në sektorin e vështirë të Rendit Publik, vuan ende dënimin për fatin e tij të keq.

E kotë t’ju kujtojmë se çfarë lavdesh u thur Edi Rama njerëzve të tij – përfshirë edhe këta që përmendëm – kur i ka në krah dhe ndan paratë më ta. Kthehuni pas në kohë dhe shikoni si i ka trajtuar ata, kur i ka ndarë nga tufa për ti akuzuar si të korruptuar, por pa lidhje me vetë Ramën.

Në strukturën shtetërore janë më mijëra rastet e ngjashme dhe jo vetëm të nivelit të Alda Klosit që ju gjendën qindra mijë euro në shtëpi, pa burim të deklaruar. Boll të përmendim valën e skandaleve në Kadastrën e Shtetit të drejtuar nga mafiozi Artan Lame që, sot dy vjet të shkuara u shndërrua në një bandë ashiqare kriminale me njerëz që emëroheshin sot e burgoseshin nesër, me drejtorë që emëroheshin sot dhe jepnin dorëheqjen nesër sepse kërcënoheshin me jetën e tyre dhe të familjarëve, me vjedhje tokash e atentate mafioze që s’ka drejtësi që t’ua nxjerrë fundit.

Me këtë bilanc po i afrohet zgjedhjeve të 14 Majit Edi Rama. Fati i tij i madh është që ka një opozitë të shkatërruar që premton ta mbajë në pushtet edhe një dekadë tjetër. Këtë Rama e di dhe të gjithë mund të vënë bast për sigurinë e kësaj teorie. Por pyetja është, me kë do të drejtojë ky Kryeministër kur të gjithë njerëzit që ka afër po i përfundojnë në burg? Me patronazhistët?!/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej