Xhaçka foli të enjten në Kuvend, duke marrë shkas nga një interpelancë e kërkuar nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje. Ajo tha se bashkëshorti i saj ishte një biznesmen serioz dhe shtoi se investimi i tij në Dhërmi ishte një investim elitar i një hoteli me 5 yje dhe tërësisht në tokë private.
“Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30 vjeçare si një biznesmen i suksesshëm i papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike,” tha Xhaçka duke iu referuar bashkëshortit.
“Si investitor strategjik, nuk ka përfituar absolutisht asgjë, përveç sigurisë juridike për të pasur përparësi në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për të vënë shezlong përpara hotelit,”shtoi ministrja, duke ripërsëritur se kjo ishte një e drejtë e fituar me ligj.
Xhaçka i referohej vendimit të qeverisë në 2 mars të këtij viti që i dha në përdorim për një periudhë 30-vjeçare një plazh në Dhërmi, partneres amerikane të vëllait të ministres.
Xhaçka pretendoi se nuk ishte në konflikt interesi dhe e akuzoi opozitën se kishte ngritur një kauzë politike pa bazë ligjore. “Nuk ka asnjë konflikt interesi, asnjë papajtueshmëri kushtetuese,” këmbënguli ajo.
Deputeti demokrat, Agron Shehaj e cilësoi rastin një aferë tërësisht korruptive.
“Mblidhet e gjithë qeveria për t’i dhënë një prej ministrave bregdetin, kjo nuk ndodh askund,” tha ai. “Shqipëria është vend i korruptuar, por Kushtetuta ka një nen që ndalon që ju të fusni duart në pronat publike,” shtoi Shehaj, duke akuzuar Xhaçkën se ka hyrë në politikë me “xhepat bosh” dhe po del me “resorte me 5 yje”.
Në kërkesën e tij për interpelancë, deputeti demokrat kishte ngritur disa pyetje për kryeministrin Edi Rama, i cili drejton Komitetin e Investimeve Strategjike, nëse kishte qenë në dijeni se kompanitë përfituese të statusit investitor strategjik ishin në pronësi të familjarëve të ministres.
Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, e deleguar nga Rama për të dhënë përgjigje, i cilësoi akuzat e Shehajt si linçime ndaj investitorëve.
Sipas saj, ministrja Xhaçka nuk kishte firmosur dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje ku ishin marrë vendimet për bashkëshortin e saj. “Motivet e vendimeve të KIS janë të mbështetur në ligj,” tha Spiropali, duke theksuar se e vetmja masë mbështetëse që i është dhënë nga shteti është lënia në përdorim e plazhit.
“Edhe subjektit të ri nuk i është dhënë asnjë përfitim. Nuk ka rëndësi a është shoqja e vëllait apo vetë bashkëshorti,” tha ajo duke iu referuar kompanisë “amerikane” në pronësi të partneres së vëllait të Xhaçkës.
Por, sipas Shehaj, dokumentet tregojnë se si e gjithë qeveria është vënë në shërbim të bashkëshortit të ministres dhe se është shkelur Kushtetuta duke i dhënë pronën publike në përdorim me qëllim përfitimi.
“Brigjet e detit janë pronë shtetërore, kanë vlerë ekonomike dhe prej tyre mund të përfitosh,” i tha ai Spiropalit. Shehaj këmbënguli se mandati i deputetit ishte i papajtueshëm me përfitimet publike. “Nuk mund të jetë edhe deputete, edhe investitore strategjike,” tha ai.
Kompania në pronësi të Artan Gaçit mori statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me 5 yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites” në 29 mars 2021.
Ndërsa më 2 mars 2022 vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij kompanisë ‘AGTCC Hotel Management’ që kishte lidhur marrëveshje me kompaninë e Gaçit.
Gaçi i tha BIRN më 3 mars se për të shmangur konfliktin e interesit, ‘kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin’.
Kompania e re është në pronësi të Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila është partnerja e Andi Xhaçkës, vëllait të ministres.