“Mjerë familja e shkretë dhe ne që na zuri…”, flet babai i autorit që vrau 15-vjeçarin me thikë në Gramsh: Si të ishte vrarë djali im! Se dija për konfliktin

Servet Karaj, babai i 15-vjeçarit që vrau Fatjon Bicin në Gramsh, ka folur për ngjarjen e rëndë, duke thënë se ndihet i tronditur dhe i kërkon ndjesë familjes së viktimës.

“I kërkoi falje jashtë mase. Edhe unë e quaj djalin tim se njëlloj janë. Jam gati që të shkoj që sot te familja e tyre nëse pranojnë”, tha Karaj.

Ai thotë që e përjeton trishtimin njëlloj si familja e Fation Bicit dhe kërkon që drejtësia të bëjë detyrën e vet.

“Mjerë ai që iku se ky do rrijë e do dale, por ai s’del më atje ku iku. Mjerë familja e shkretë dhe ne që na zuri…”, u shpreh Karaj në një prononcim për Report TV.

Mes të tjerave Servet Karaj tha se nuk e dinte që djali i tij mbante thikë me vete, duke shtuar se i biri ishte i rregullt dhe aspak problematik. Ai shton se 10 minuta para se të ndodhte ngjarja e rëndë, kishte qenë në Gramsh.

“Djali ka qenë shumë i qetë, nuk merrej me gjëra të tilla. Atë ditë nuk ka shkuar në shkollë se kishte probleme shëndetësore. Unë isha vetë në Gramsh e 10 minuta pasi jam kthyer më kanë marrë në telefon. Jam habitur. Sjellja e djalit ka qenë normale, nuk të linte përshtypje. Nuk di si të them, nuk kam parë asgjë vete.

Në polici na thirrën për deklaratën. Nuk i kam parë asgjë as në cantë, as në xhep. Djali nuk ka pasur raste të tilla, nuk kam dëgjuar asnjëherë debat. Nuk kishim asnjë informacion se po të kisha sikur 2% të dija nuk do të kishte arritur deri këtu. Shkonte në shkollë zakonisht, ishte nxënës mesatar, i rregullt, të shtuna të diela punonte, nuk ishte problematik”, tha babai i autorit të vrasjes së 15-vjeçarit.

Kujtojmë që 15-vjeçari Fatjon Bici, nxënës i klasës së 9-të ishte nisur për në shkollë, por nuk u kthye kurrë në shtëpi. Viktima u godit me thikë në zemër pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushuririt të tij dhe disa bashkëmoshatarëve në shkollë. Ai u vra në një park të Gramshit, ndërkohë që kushëriri i tij Marko Lici mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spitalin e Traumës.

Konflikti që u bë shkak për ngjarjen e rëndë kishte nisur disa ditë më parë, kur të rinjtë ishin konfliktuar me sharje në rrjetet sociale.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej