Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për dy shtetasit Seit dhe Kreshnik Manahasa, kushërinj me njëri – tjetrin. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkoi dënimin me 15 vite burg të Seitit dhe me 10 vite për Kreshnikun. Ata u arrestuan rreth një vit më parë për akuzat “vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “ngacmim seksual i mbetur në tentativë”, “kryerje e marrëdhënieve seksuale pa dëshirë” dhe “heqja e lirisë”.
Kujtojmë se rreth një vit më parë, të dy shtetasit, në segmentin rrugor Elbasan-Rrogozhinë i kanë hequr lirinë me forcë një biznesmeni dhe një gruaje që dyshohet se ka qenë punëtore e tij, të cilët janë mbajtur peng për disa orë nga Kreshnik Manhasa, derisa ka ndërhyrë policia.
Sipas burimeve nga policia atëherë, pengmarrja e tyre ishte bërë për të përfituar një shumë të caktuar parash. Ndërkohë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i gjykatës për dy shtetasit, lidhur me veprat penale që ata kanë kryer.
Sipas dosjes hetimore në muajin Maj 2021, biznesmeni dhe punonjësja e tij, kishin ndaluar në autostradën Peqin – Elbasan dhe teksa qëndronin buzë lumit Shkumbin i kanë marrë peng. Sipas informacioneve që ndodhen në dosje, dy personat i kanë dhunuar dhe nën kërcënim u kanë marrë 12 mijë lekë ndërsa u kanë kërkuar edhe 20 mijë euro.
Seit Manahasa është një emër i njohur për uniformat blu. Së bashku me babain e tij Albert Manahasa u arrestuan edhe për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan. Por më pas u lanë të lirë, pasi nuk rezultuan të jenë të përfshirë në këtë ngjarje. Ata u ndaluan pasi në servilin e tyre u gjet një pistoletë që më pas rezultoi se arama ishte futur aty nga shefi i krimeve që punonte për llogari të Erion Alibejt.